Arbëri

Ramadani: Jetësimi i Asociacionit pa benefite është katastrofë për Kosovën

Shkodran Ramadani, analist, ka thënë se çështja e dinarit sado problematike që është për veriun, është më pak e rëndësishme se çështjet e tjera me të cilat përballet Kosova.

Ai ka theksuar se që nga viti 2016 dialogu Kosovë-Serbi ka marrë kthesë tjetër dhe se për shkak të optimizmit se po shkohet drejt marrëveshjes finale kanë ndodhur pauza, bllokada e pengesa gjatë procesit për këto vite.

Sa i përket krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Ramadani ka thënë se Kosova e ka dhënë si zotim dhe e ka obligim ta kryejë. Lidhjen e krijimit të Asociacionit me anëtarësimin në Këshillin e Evropës ai e sheh si presion, megjithatë ka shtuar se Kosova nuk mund të presë anëtarësim pa e jetësuar Asociacionin.

“E shoh si një presion mbi Kosovën për të implementuar obligimet që i ka marrë dhe nuk pajtohen t’i japin asaj karrota pa i përmbushur obligimet që i ka marrë vetë. Është raport transaksional ku palët japin dhe marrin, e Kosova, sipas ndërkombëtarëve, po kërkon të marrë pa dhënë diçka”, ka deklaruar ai të mërkurën në Interaktiv të KTV-së.

Megjithatë, ai ka theksuar se Kosova do të duhej të merrte prapa diçka edhe vetë pas zbatimit të Asociacionit.

“Jetësimi i Asociacioni pa asnjë benefit është një katastrofë sepse është e vetmja kartë në duart e Kosovës që t’i bëjë presion Serbisë. nuk ka asnjë kartë tjetër që të shkojë në tavolinën e negociatave që të thotë ma jepni njohjen, më jepni pesë njohjet e vendeve të BE-së që nuk e njohin Kosovën”, është shprehur ai.