Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj protestës së shoferëve të autobusëve nga Podujeva, të cilët kundërshtojnë vendimin për linjat ndërurbane. Ai theksoi se ky vendim është zbatuar nga të gjitha qytetet e tjera të Kosovës dhe se ka për qëllim përmirësimin e trafikut në kryeqytet.
Sipas Ramës, vendimi kërkon që linjat ndërurbane të përdorin rrugët rajonale dhe të kenë si pikë ndalimi Stacionin e Autobusëve, duke shmangur qarkullimin e autobusëve ndërurbanë brenda Prishtinës.
“Kemi pritur disa herë përfaqësuesit e linjave nga Podujeva dhe jemi dakorduar që autobusat e tyre të ndalojnë te Stacioni i Autobusëve. Po ashtu jemi dakorduar që Inspektorati i Kryeqytetit do të kujdeset për largimin e taksive ilegale në rrugën 'Ilir Konushevci', që po dëmtojnë operatorët e Podujevës”, ka shkruar Rama, i cili ka bërë thirrje që të respektohet vendimi, duke theksuar se mosrespektimi sjell pasoja ligjore, përfshirë gjobat e Policisë së Kosovës.
Vendimi që autobusët e linjës Podujevë – Prishtinë të ndalen në Stacionin e Autobusëve, sipas Ramës, synon uljen e ngarkesës së trafikut në rrugën hyrëse të Prishtinës, mundësinë për qytetarët të përdorin një biletë të përbashkët prej vetëm 80 centë në ditë për transportin publik dhe sigurimin e parkimit në “Kodër të Trimave”, ku udhëtarët mund të lënë veturat dhe të përdorin transportin urban për të lëvizur në qytet.
Rama theksoi se vendimi është për të mirën e përgjithshme dhe se një Prishtinë më e organizuar dhe e sigurt është në interes të të gjithë qytetarëve.
Protestat e transportuesve nga Podujeva ka dy ditë që kanë parkuar autobusët para objektit të vjetër të Komunës, duke kërkuar që të tërhiqet vendimi që ndalon futjen e ndërurbanëve brenda qytetit të Prishtinës. Policia u ka shpërndarë gjoba.