Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur Shoqatën e Transportit Ndërurban Prishtinë – Podujevë gjatë të mërkurës.
Rama ka shkruar se diskutuan për hapat drejt integrimit të këtij shërbimi në reformën e transportit të Kryeqytetit.
“Dëgjova shqetësimet e transportuesve ndërurban dhe u angazhova që çështjet e ngritura të adresohen nga ekipet përkatëse, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve më të mira. Fokusi ynë është përmirësimi i qarkullimit urban dhe respektimi i ligjshmërisë, përfshirë përcaktimin e vendndalimeve për autobusët në hyrje dhe brenda Unazës së Prishtinës”, ka shkruar në Facebook Rama.
Shoqata e Transportit “Podujevë-Prishtinë” të mërkurën u fut në grevë për një afat të pacaktuar për shkak të mosplotësimit të kërkesës së tyre nga komuna karshi vendimit për lëshimin e linjave të reja transporti.
Kjo shoqatë kundërshton vijimin e linjave Prishtinë – Vranidoll, Prishtinë – Kozaricë dhe Prishtinë – Lluzhan – Sharban.