Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka insistuar se nuk ka shkelje ligjore në procesin e këmbimit të pronave komunale me ato të ish-klientëve të tij. Në një konferencë për media, zbulimin e skandalit nga KOHA ai e quajti sulm ndaj tij dhe punës së Komunës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të enjten ka dhënë versionin e tij për këmbimin e pronës së kryeqytetit me atë të ish-klientëve të tij, një javë pasi KOHA publikoi skandalin.
Raportimin e ka quajtur sulm ndaj tij dhe punës së Komunës, ndërkaq për procesin e këmbimit të pronave ka drejtuar gishtin tjetërkah.
“E kam thirrë këtë konferencë për shkak se ditëve të fundit kemi qenë cak i sulmeve të shumta që kanë për qëllim denigrimin e qeverisjes se kryeqytetit, por edhe timin personal. Duke iu referuar një procesi të këmbimit, proces i cili ka filluar qysh para qeverisjes tonë, pra dy vite para qeverisjes tonë. Pra, ky këmbim nuk ka filluar gjatë kohës tonë, por më shumë se dy vite më parë. Edhe kjo si pasojë e vendimeve të Ministrisë së Ambientit”, ka thënë Rama.
Kryetari i Prishtinës ka dhënë këtë version, por nuk ka saktësuar se bëhet fjalë për dy procese të ndryshme.
Njeri proces është nisur në kohën e ish-kryetarit Shpend Ahmeti, e kontrata është nënshkruar në kohën e kryetarit Rama. Ndërkaq procesi tjetër është iniciuar nga vetë Rama muajin e kaluar.
Për të dyja rastet, në Ministrinë e Ambientit kanë mohuar që kanë dhënë pëlqim, dhe kanë theksuar se kjo nuk është as kompetencë e institucionit.
E drejtoresha e Pronës në Prishtinë, Doruntinë Maloku, në konferencën për media bashkë me kryetarin e Komunës, ka insistuar që vendimi i Ministrisë i marrë në vitin 2020 e ka obliguar Komunën që ta kompensojë edhe Rrahman Haradinin, ish-klient i kryetarit Rama.
“Vendimi i Ministrisë së Ambientit i ka obliguar organet komunale që të ndërmarrin veprime për kompensimin e këtyre pronarëve që kanë pasur kushte të ndërtimit, por nuk u është lejuar të ndërtojnë pranë Liqenit të Badocit”, ka thënë drejtoresha Maloku.
Në një përgjigje për KOHËN, Ministria e Ambientit bëri të ditur se Komunës vetëm i është thënë që ta zbatojë ligjin.
“Ministria vetëm ka dhënë një Përgjigje në Ankesë, të cilën ju kemi bashkangjitur ne email, ndërsa organet komunale sipas kësaj përgjigjeje janë obliguar t’i referohen Ligjit Nr. 03/L-139 me ndryshimet dhe plotësimet e bëra me Ligjin Nr. 03/L-205 të datës 28 tetor 2010, për shpronësimin e pronës së paluajtshme”, thuhet në përgjigje.
Prej rreth një jave KOHA ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës vlerësimin financiar të bërë nga Ministria e Financave për pronat e këmbyera, por ka munguar përgjigjja.
Informata nuk është dhënë as pas pyetjeve që i janë bërë Ministrisë dhe as ministrit Hekuran Murati.
E, drejtoresha Maloku ka thënë në konferencë se kjo ministri e ka vlerësuar tokën në Badoc ku nuk lejohen ndërtimet si shumë më të vlefshme sesa atë komunale në zonën Prishtina e Re.
“Në total, pronat private janë vlerësuar 7 milionë e 990 mijë euro. Ndërkaq prona komunale, nga Departamenti për Vlerësim në Ministrinë e Financave, është vlerësuar 3 milionë e 75 mijë euro”, ka theksuar ajo.
Maloku nuk i është përgjigjur konkretisht pyetjes mbi arsyeshmërinë që në këmbim të jepet prona komunale në zonën Prishtina e Re. Ajo ka thënë se bëhet fjalë për vazhdim të procesit, ani se prona e dytë e ndërruar është propozimi i ri, i bërë nga kryetari Rama.
Juristë kanë vlerësuar se kryetari Rama do të mund ta ndalte procesin, nëse do të dyshonte për keqpërdorime. Shembull për këtë kanë përmendur rastin kur ish-ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku – tash kryetar i LDK-së që udhëheq kryeqytetin – propozoi shfuqizimin e vendimit, me të cilin Qeveria paraprake vendosi të ndaheshin edhe 50 milionë euro shtesë për konserciumin “Bechtel-Enka” në emër të dy kyçjeve në autostradën “Arbër Xhaferi”.