Arbëri

Rama s’lejohet nga opozita ta fusë në rend dite planin për “Kalabrinë”

Në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa, e mbajtur të enjten, u vendos që të mos hyjë në rend të ditës plani rregullues për “Kalabrinë”, me gjithë përpjekjen e kryetarit Përparim Rama që këtë pikë ta fusë në rend dite vetëm një ditë para mbajtjes së seancës së Kuvendit Komunal

Përpjekja e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, që ta fusë në rend dite vetëm një ditë para seancës planin rregullues të lagjes “Kalabria” është quajtur kontrabandë nga opozita. 

Megjithatë, në Komitetin për Politikë dhe Financa këshilltarët komunalë të Vetëvendosjes, PDK-së dhe kryesuesi i pavarur, Fehmi Kupina, të enjten votuan kundër futjes se kësaj pike në rend dite. 
Arsye u tha se është mungesa e materialit. 

“Unë jam konsultuar me kryetarin që të pritet për materiale dy deri në tri ditë, kur e kam dërguar emalin kam treguar që e kam biseduar me kryetarin. Dhe në cc i kam përfshirë të gjithë, nuk m’u ka kthyer emaili, kam kuptuar që po bëhen lojëra, kur ka ardhur nga PZHK-ja me link të koduar m’u është vërtetuar ajo edhe më shumë”, ka thënë Femi Kupina, kryesues i Kuvendit Komunal.

Gëzim Sveçla, asamblist i LVV-së, ka thënë se edhe në tentativën e së enjtes kryetari Rama erdhi pa material.

“Ti lëre më që je duke bërë filma, por je edhe duke i shfrytëzuar banorët e ‘Kalabrisë’ për përfitime tua personale. Ti e di mirë që kjo nuk kalon në KPF. Janë ligjet o zotëri, nuk mundet të hyjë para shtatë ditëve, duhesh të mësohesh të respektosh ligjet”, ka thënë Sveçla.

Në kohën kur banorëve iu ishte premtuar që ky plan do të votohej brenda 3 muajve, koeficienti 2.4 ishte i parealizueshëm.

Përveçqë propozimi parasheh ndërtimin me këtë koeficient në shumicën e lagjes, problem për opozitën është koeficienti 7 i propozuar për parcelën e Stacionit të Autobusëve.

“Kjo po tregon që këtu ka tendencë për të bëre filma, mirëpo ai personazhi që po tenton të dalë i mirë këtu nuk do të dalë në fund. Planit për lagjen ‘Kalabria’ tani që ne e morëm vesh do ta ketë koeficientin 7, kurse gjatë gjithë paraqitjeve tua dhe në kohën kur kemi qenë në koalicion pati thënë që ministria e ka kthyer dhe se koeficienti prej 2.4 ka qenë i parealizueshëm”, ka thënë Leutrim Retkoceri, këshilltar i PDK-së.

Rritjen e koeficientit në hapësirë publike Rama e ka arsyetuar me mundësi të shpronësimeve për projektet madhore sikurse unaza e qytetit.

“Plani ka qenë në diskutim publik dhe e kemi diskutuar edhe më herët, e kam treguar edhe koeficientin 7 te Stacioni i Autobusëve. Çdo pronë që ka qenë e Komunës si dhe e Qeverisë kemi propozuar që të rritet koeficienti në mënyrë që t’i kryejmë shpronësimet për unazën e kryeqytetit, si dhe për fshatin Olimpik”, është shprehur kryetari Rama.

Gjatë mbledhjes së kaluar banorët e “Kalabrisë” ishin prezentë në sallë dhe morën premtim se plani i lagjes do të jetë në rend dite më 24 maj.

Banorët kanë paralajmëruar që nuk do të lejojnë të mbahet seanca të premten, pasi që plani i lagjes së tyre mbeti jashtë rendit të ditës.

Zakonisht Komiteti për Politikë dhe Financa i merr materialet disa ditë para mbledhjes së seancës dhe i shqyrton ato.