Arbëri

Rama s’e mohon se i kishte bashkëpunëtorë pronarët e tokës së këmbyer me të Komunës

Ka nxitur reagime hulumtimi i KOHËS për këmbimin e pronës së Komunës së Prishtinës me atë të dy ish-bashkëpunëtorëve të kryetarit Përparim Rama. Rama s’e ka mohuar raportin që ka pasur me pronarët e tokës private e Vetëvendosja është përpjekur ta shfajësojë veten për kuorumin që e ka mundësuar për këtë vendimmarrje.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nuk e ka mohuar se i kishte bashkëpunëtorë pronarët e tokës në Badoc që Komuna e ka këmbyer me një pronë te Prishtina e Re.

Gjatë tërë javës sa ka zgjatur hulumtimi për këtë rast, ai nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS, por ka reaguar tek pas transmetimit të stories duke thënë se sipërfaqja e këmbyer është më e vogël sesa ajo e raportuar.

“Vendimi ... e specifikon që prona 8-hektarëshe e pronarëve privatë do të këmbehet me një pjesë të pronës rreth 20-hektarëshe. Pra, vendimi i Asamblesë nuk këmben 8 hektarë dhe tërë parcelën 20-hektarëshe ashtu siç është keqraportuar në media”, ka shkruar ai në Facebook.

KOHA ka raportuar që në propozim-vendim Rama nuk e ka specifikuar se sa pjesë e sipërfaqes së pronës komunale do të këmbehet, duke e lënë mundësinë që ndërrimi të bëhet deri në 21 hektarë.

E në vendimet e Komunës të publikuara në uebfaqe, ndryshe nga ky rast, saktësohet sipërfaqja e pronës komunale që këmbehet.

Pas publikimit të hulumtimit ka reaguar edhe Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, asamblistë të së cilës parti mundësuan vendimmarrjen në Kuvendin Komunal duke e bërë kuorumin.

Vetëvendosja e quajti të rremë lajmin, por e pranoi pjesëmarrjen e asamblistëve të saj në sallë.

Në të kaluarën kjo parti pati kriter tjetër gjykimin kur dikush me pjesëmarrje mundësonte të kalonin vendime. Në rastin e zgjedhjes së Hashim Thaçit president, Vetëvendosja ngriti dyshime se për përfitime të tyre e bën kuorumin disa deputetë të LDK-së që morën pjesë në seancë, ani se u deklaruan kundër Thaçit.

Rreth tetë vjet pas, asamblistët e LVV e shohin ndryshe pjesëmarrjen në mbledhjen e Kuvendit Komunal gjatë miratimit të vendimit për këmbim të pronave.

“Për të sqaruar opinionin në lidhje me një kronikë televizive të shfaqur sonte ku asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje fajësohen pse kanë qëndruar në sallën e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ju ftojmë ta ndiqni debatin që në emër të grupit e ka bërë asamblistja Nora Kelmendi”, thuhet në reagimin e VV-së në Prishtinë.

Deklarata e Kelmendit që ngre dyshime për vendimin është transmetuar në storien e KOHËS.

Hulumtimi: