Pas zgjerimit të sheshit deri te Katedralja, kryetari Rama ka synim që kjo të zgjerohet edhe më tutje.
Zgjerimi i sheshit deri te “Rrethi me flamur” ka qenë premtim i tij elektoral, për të cilin thotë se nuk ka hequr dorë.
Gjatë debatit të përgjithshëm publik me qytetarët e Prishtinës, Rama ka thënë se synimi i tij është t’i japë prioritet këmbësorit e jo veturave.
Sipas tij, për të arritur këtë realizim, së pari do të mundësohet të mbyllet rruga deri te Posta.
Kjo ishte kërkesa edhe e një qytetari, me të cilin Rama pajtohej plotësisht. .
“Faleminderit shumë, me ty jam. Ulpiana edhe Dardania kanë qasje të shumta, janë 4-5 qasje në Ulpianë dhe Dardani dhe nuk kanë nevojë që këto të dyja të ndodhin prej këtij sheshi dhe duhet të mendohet se aty po ndërtohet Xhamia e Madhe, tani është edhe Tregu, prandaj sheshi vazhdon deri te posta fillimisht, ku edhe qytetarët do të kenë mundësi të vazhdojnë të ecin deri te Prishtina e Vjetër. Është një 2-3 kilometërsh që në çdo vend në Evropë njihet si një shëtitje e shëndetshme, ndërsa për ne konsiderohet si diçka e keqe se nuk jemi mësuar ashtu”, tha Rama.
Sipas Ramës, ata veçse kanë filluar punët në këtë aspekt dhe do të bëjnë çmos për zhbllokimin e qytetit nga kolonat e gjata.
“27 për qind të qytetarëve e përdorin veturën në Prishtinë, 73 nuk e përdorin kerrin. 40 për qind të qytetarëve lëvizin me 2 për qind të mjeteve që janë me autobusë, 98 me makina. Janë numra që na tregojnë qartë se çfarë duhet të bëjmë ne. Nëse nuk ndërmarrim asgjë dhe i japim përparësi veturës, pas 2-3 vjetëve do të jemi njësoj siç është Xhakarta e vendet e tjera që nuk kanë pasur guxim të ndërmarrin masa për të prioritizuar këmbësorin dhe jo veturat, gjithsesi duhet të ketë alternativa”, tha Rama.
Gjatë këtij debati publik pati shumë kërkesa të qytetarëve, e shumë prej tyre ishin edhe përfundimi i Planit Zhvillimor Komunal.
Sa i përket planit zhvillimor komunal, Rama ka theksuar se është kundër rritjes së koeficientit dhe rritjes së vlerës.
Ndryshe, sipas Ramës, ajo që do të ndikojë shumë në shkarkimin e qytetit është Rruga A, për të cilën pritet që më 16 janar të përzgjidhet kompania fituese dhe të fillojnë punimet.