Një ditë para protestës së paralajmëruar kundër mbylljes së rrugës “Xhorxh Bush” në qendër të Prishtinës, kryetari i Komunës, Përparim Rama, ka prezantuar projektin për shndërrimin e kësaj rruge në shesh.
Në prezantim, Rama ka thënë se sheshi i ri do të ketë ndërlidhje me disa pjesë të qytetit. Ai ka thënë se do të jenë tri platforma në qendër të sheshit të ri, teksa ka prezantuar planin nëpërmjet fotografive. Ai ka thënë se të gjitha elementet e asfaltit që janë aktualisht, do të transformohen në hapësira të gjelbra.
Ai ka përsëritur se sheshi do të zgjatet deri kur të ndërtohet Xhamia e Madhe te Posta e më pas edhe deri te Rrethi i flamurit.
Ka pranuar se problemi i trafikut është i madh, por sipas tij duhet kohë që “të ndodhë transformimi i Prishtinës”. Rama ka thënë se ky transformim ka nisur e ka premtuar se ai do të përfundojë për “tetë vjet mandat”.
Të dielën, “Vrojtuesit e lagjes” kanë paralajmëruar protestë kundër këtij vendimi të Ramës. Sipas tyre, mbyllja e kësaj rruge ka shkaktuar komunikacion edhe më të dendur në kryeqytet. Protesta është thirrur për të dielën.
Duke komentuar protestën e paralajmëruar, Rama ka thënë se i kupton qytetarët, por sipas tij, propozimi i tij është zgjidhja e problemit të trafikut dhe jo hapja e rrugës.
“E drejtë demokratike e secilit qytetar. I kuptoj edhe të frustruarit për shkak të trafikut, por ka shumë vite që është kështu. Ka më shumë se një dekadë. Ka pas probleme dhe kjo është mënyra për ta zgjidhur, jo për ta përkeqësuar. Edhe kur ka qenë hapur ka pasur problem, edhe po të hapet sot do të ketë problem. Por s’do të kemi hapësira të mira, të sigurta për qytetarët tanë”, ka thënë ai.
Gjatë muajit dhjetor në këtë shesh janë mbajtur shumë aktivitete e po ashtu edhe festivali “Verë n’Dimër” dhe koncerte të ndryshme.
Deri para pak kohësh për qarkullim në këtë rrugë kishin të drejtë autobusët e Trafikut Urban si dhe taksitë, mirëpo me vendim të Ramës edhe këta u ndaluan.