Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është deklaruar rreth mbylljes së qarkullimit për automjete të rrugicave të Bibliotekës Kombëtare, ku u është pamundësuar qasja e vetme dy mediumeve kombëtare, Radio Televizionit të Kosovës dhe Grupit KOHA.
Ai ka thënë se komuna ka prioritet “interesin e përgjithshëm publik dhe nuk mund të vendosë në interes të asnjë biznesi mbi interesin e përgjithshëm të qytetarëve”.
“Në cilësinë e Kryetarit të Kryeqytetit kam marrë vendim për mbylljen e qarkullimit të mjeteve motorike në një pjesë të rrugëve ‘Rexhep Luci’ dhe ‘Qamil Hoxha’ si dhe në rrugët e rrugicat të cilat kalojnë nëpër parkun e Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës Kombëtare. Nuk do të lejoj që dhjetëra vetura që parkohen në hapësira të përbashkëta publike të privojnë shfrytëzimin e kësaj hapësire në të mirë të të gjithë qytetarëve”, ka shkruar ai.
Rama më tej ka thënë se qëllimisht nuk e ka marrë këtë vendim derisa është funksionalizuar Parkingu Nëntokësor në Qendër, i cili ka në dispozicion 624 vendparkime për vetura.
“Ky parking është në afërsi të të gjitha objekteve institucionale e afariste përreth. Do të thotë të gjitha objektet përreth kanë alternativë të afërt të parkimit”, ka theksuar ai.
Pas mbylljes së rrugës “Xhorxh Bush”, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, mori vendim që nisur nga 1 shtatori të mbyllë edhe qasjen e vetme për qarkullim që e ka stafi i dy mediumeve kombëtare, ai i RadioKosovës dhe Grupit KOHA.
Me vendimin e publikuar një ditë më parë, është bërë e ditur se do të mbyllen për qarkullim të mjeteve motorike rrugët dhe rrugicat që kalojnë apo dërgojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës Kombëtare. Me këtë, i bllokohet qasja edhe Rektoratit të UP-së.
Ky vendim është kualifikuar si i papranueshëm nga drejtuesit e mediumeve.