Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama akuzon Qeverinë për favorizim të komunave që udhëhiqen nga VV-ja

Perparim Rama - komunat

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar protestë të komunave ndaj Qeverisë Kurti. Në një shkrim në Facebook, ai e ka akuzuar Qeverinë Kurti për “qasje totalitare” ndaj pushtetit lokal.

Sipas tij, VV-ja po i ndëshkon komunat që nuk udhëhiqen nga kjo parit.

“Jemi mbledhur bashkë, kryetarët e komunave të Kosovës, kundër shkeljes së vazhdueshme të ligjit dhe qasjes totalitare të Qeverisë Kurti ndaj pushtetit lokal. Paralajmërimi gjatë fushatës zgjedhore lokale se “nuk do t’u japim buxhet komunave që nuk qeverisen nga Vetëvendosje”, sot po materializohet në një praktikë të rrezikshme: bllokim të mjeteve, pengim të projekteve dhe ndëshkim financiar të komunave që nuk kontrollohen nga pushteti", ka shkruar Rama në Facebook.

Rama ka thënë tutje se komunave u janë marrë më shumë se 344 milionë euro prej 2022-s, sipas tij, për obligime që s’i kanë krijuar vetë.

Ai e ka cilësuar primitive udhëheqjen e Vetëvendosjes dhe të rrezikshme për demokracinë.

“Po bllokohen mjete dhe po pengohen investime që u takojnë qytetarëve. Po tentohet që pushteti lokal të nënshtrohet përmes presionit financiar dhe politik. Komunat nuk janë të kryetarëve! Komunat janë të qytetarëve! Kur Qeveria bllokon një komunë vetëm sepse nuk e qeveris Vetëvendosje, nuk po lufton një kryetar. Po ia mohon qytetarit një rrugë, një çerdhe, një shkollë apo një shërbim vetëm për shkak të mënyrës se si ai ka votuar. Kjo qasje primitive, përveçse është diskriminuese, është e rrezikshme për demokracinë. Nuk mundesh me i nda qytetarët në “me neve” dhe “me ata” dhe me vendos me blloku paranë publike sipas hartës elektorale!” ka përfunduar Rama reagimin.

Ndërkaq gjatë ditës, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka shkruar në Facebook se buxheti për komunat vitin e ardhshëm tejkalon 900 milionë eurove.

“Javën që shkoi Ministria e Financave ka lëshuar qarkoren e dytë buxhetore për komunat në të cilën përcaktohen kufijtë buxhetorë për secilën komunë.  Falë performancës së jashtëzakonshme të të hyrave buxhetore përgjatë viteve të fundit, është krijuar hapësira fiskale për rritje të vazhdueshme të buxhetit që u ndahet komunave.  Nga 546 milionë euro sa e kishim gjetur në vitin 2021, buxheti i ndarë për komunat do të shkojë në 907 milionë euro në vitin 2027”, ka shkruar ai.

Peci i reagon Ramës: Jo në emrin tim dhe të Mitrovicës

8 o. më parë / 18 gus 2026 14:58
Faton Peci

Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, i ka reaguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, që paralajmëroi protestë ndaj Qeverisë për siç tha ai bllokim të mjeteve, pengim të projekteve e ndëshkim financiar të komunave që s’qeverisen nga Vetëvendosje.

“JO në emrin tim dhe të Mitrovicës, Përparim!” ka shkruar Peci duke thënë se Rama nuk mund të flasë në emër të Mitrovicës. “E kuptoj tendencën tënde për të luajtur rolin e liderit opozitar karshi Qeverisë, por nuk kam mirëkuptim karshi tendencës të flasësh në emër të të gjithë kryetarëve të komunave, e aq më pak të Mitrovicës”.

Peci ka thënë se ka tendencë “të krisur” që komunat t’ia bëjnë opozitën Qeverisë.

“Nëse diçka e dëmton interesin publik dhe qytetar, si dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, është tendenca e krisur që disa komuna t’ia bëjnë opozitën Qeverisë. Ata që i paskan shkaktuar 334 milionë euro dëm (nëse po flisni për kontratën kolektive) i ke në tavolinë, po ti s’e di kontekstin institucional dhe politik në vend, dhe për këtë dëm prej qindra milionë eurosh askush nuk është ftuar as në intervistim, as për të dhënë shpjegim”, ka shtuar ai.

Rama është bërë kryetar i kryeqytetit si kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës, edhe pse zyrtarisht nuk është pjesë e partisë. Peci, që udhëheq partinë Guxo, ka garuar nën siglën e Vetëvendosjes.