Arbëri

Rama i jep leksione Kurtit si ta drejtojë dialogun, e kritikon Kosovën se po hesht karshi Speciales

Me përplasje mes qeveritarëve e parlamentarëve u përcoll seanca e përbashkët e Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama dha kritika e leksione për kryeministrin Albin Kurti e për politikën kosovare. Qasjen e tij e kritikoi opozita shqiptare.

Seanca e përbashkët e Kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, që kërkoi unitet mes dy vendeve, qe arenë edhe e leksioneve, këshillave e përplasjeve mes qeveritarëve e parlamentarëve.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se barrën e fajit për ngecjen në dialogun Kosovë-Serbi duhet ta mbajë Beogradi zyrtar. Tha se Kosova duhet ta ngrijë pa afat dialogun me Serbinë dhe që normalizimin ta kërkojë në dialog bilateral me BE-në. E teksa tregoi se si duhet të veprohet, tha se nuk po jep leksione.

“Nuk ka asnjë arsye që Kosova të presë çka do të bëjë Serbia për të bërë pastaj ajo hapat e saj drejtë BE-së dhe NATO-s. Kosova e uli në gjunjë Serbinë 25 vjet më parë dhe sot 25 vjet më vonë duhet ta lërë në bisht e them këtë jo për t’i dhënë Kosovës në asnjë mënyrë leksion por një opinion vëllazëror”, ka deklaruar Rama.

Kritik qe edhe për atë që e quajti “heshtje shurdhuese” të politikës në Kosovë karshi veprimeve të Gjykatës Speciale. Tha se është i çuditur që Kuvendi nuk ndërmori nismë për t’i verifikuar standardet e akuzave të Speciales ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

“E sotmja me shumë gjasë do t’i ngjante shumë më tepër të shkuarës sesa të ardhmes pa ushtrinë çlirimtare, me në krye Hashim Thaçin... Nuk mund të lihet në heshtje shurdhuese që ushqehet prej gjithfarë motivesh nga më fisniket deri te politiket që ajo gjëmë nëse është gjëmë ta bëjë dëmin e vetë deri në fund”, është shprehur ai.

Kryeministri Albin Kurti, që foli më pas, nuk i komentoi qëndrimet e Ramës. U përqendrua te sukseset ndërshtetërore.

“Neve në Kosovë na gëzon fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe vend kandidat i BE-së.. FSK është në lartësinë e detyrës që kërkojnë standardet e aleancës dhe ne besojmë që Shqipërinë e kemi në krah të përpjekjeve tona për të tejkaluar pengesat politike ndaj anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”, ka deklaruar Kurti.

E kritikë dhe akuza për Kurtin pati kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Këshillat që Rama ia adresoi Kurtit, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, Gazmend Bardhi, i quajti thikë pas shpine.

“Ne shqiptarët kemi një traditë, vëllait nuk ja themi kurrë këshillën në publik. Nuk ja themi kurrë këshillën në lagje, vëllait këshillën ja themi në shtëpi, me zë të ultë, që të mos na dëgjojnë të tjerët. E kundërta e kësaj, një këshillë edhe kur është e drejtë e thënë në publik e lëndon vëllain, e dobëson pozitën e tij në arenën ndërkombëtare dhe sigurisht është një thikë pas shpine për vëllain tonë, Kosovën tonë të dashur”, u shpreh Bardhi.

Lidhur me fjalimin e Ramës rreth Speciales, shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari, kërkoi që Shqipëria të ngrejë zë për padrejtësitë në mekanizmat ku Kosova nuk ka përfaqësim.

“Po kryeministër, Gjykata Speciale është e padrejtë dhe në vitin 2015 grupit parlamentar i LVV jo vetëm që e kundërshtoi por e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese... Duke marr parasysh gjithë mbështetjen e përkrahjen që kemi nga Shqipëria të adresohet problemi aty ku e ka burimin në Këshillin e Evropës, në NATO, në Këshillin e Sigurisë”, ka thënë Kusari.

Por, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se duhet të mbizotërojë uniteti mbi të gjitha në përplasjet politike.

“Mendime të ndryshme kishte edhe në Lidhjen e Prizrenit. Studiuesit dhe historianët na i kanë sjellë ato. Të gjitha kontradiktat e mundshme dhe të gjitha mospajtimet. Mospajtime kishte edhe në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, kishte edhe aso që e kundërshtonin edhe i dimë të gjitha edhe pastaj edhe në të gjitha fazat e rëndësishme që kaloi vendi ynë”, është shprehur ai.

Në këtë seancë Rama tha se edhe në margjina të samiteve ndërkombëtare ka kërkuar me forcë largimin e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian të shqiptuara ndaj Kosovës prej më shumë se një viti.