Gjysmë miliardi euro është shuma që do të kursehet me njërën prej masave që pritet të miratohet nga Bashkimi Evropian, e cila shmang, rregullon transaksionet e parave që hyjnë nga diaspora në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Veç kësaj, zyrtarë të lartë të BE-së të enjten nga Tirana kanë prezantuar planin e rritjes për shtetet e rajonit, prej të cilit shtetet do të përfitojnë vetëm nëse nuk e pengojnë njëra-tjetrën në zhvillim ekonomik
Bashkimi Evropian ka prezantuar një plan të ri të rritjes në funksion të përshpejtimit të rrugës së integrimit të Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian, në kuadër të punimeve të Samitit rajonal të mbajtur të enjten në Tiranë, pjesë e të cilit ka qenë komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, si dhe përfaqësues nga shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor është i bazuar në katër shtylla kryesore – rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian, rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal si dhe përshpejtimi i reformave themelore dhe rritja e ndihmës financiare.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë dhe nikoqir i samitit, ka thënë në një konferencë për media se kjo që po bën BE-ja shkon përtej kornizës së integrimit, të cilën e kanë aktualisht shtetet e rajonit, teksa ka shtuar se kjo është hera e parë kur të gjitha vendet e rajonit pajtohen se BE-ja po shkon një hap më tej për t’i mbështetur.
“Për herë të parë të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor pajtohemi se Bashkimi Evropian nuk po bën vetëm punën e zakonshme, por po shkon një hap më tej për të na mbështetur në rritjen ekonomike me një plan të ri të rritjes, i cili faktikisht është një nismë e konceptuar jashtë kornize. Ky është rezultat i dialogut, ky është rezultat i nxitjes nga ana jonë për t’u dëgjuar, për t’u kuptuar sa u takon vështirësive tona, argumenteve dhe ideve tona. Falë këtij shkëmbimi të ndërsjellë pikëpamjesh kemi arritur këtë objektiv shumë të rëndësishëm për të futur në procesin tradicional të integrimit diçka të re, që është mjaft konkrete dhe mund të na çojë në një nivel tjetër shumë të më shpejtë. Plani i ri i rritjes është një platformë kyç për të përshpejtuar hyrjen tonë në BE”, ka thënë Rama.
Ai ka folur edhe për përfitimet që do t’i kenë qytetarët nga masat që pritet t’i adoptojë BE-ja për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Ne në Shqipëri, por edhe në vendet e rajonit ka shumë njerëz që jetojnë jashtë, duke punuar jashtë ata vazhdojnë të ndihmojnë të afërmit e tyre, familjet në atdhe. Për çdo para që ata dërgojnë kostoja e transaksionit është gjashtë herë me e lartë krahasuar me koston të shteteve anëtare. Plani i rritjes do të na lejojë që këtë kosto ta çojmë në të njëjtin nivel me shtetet anëtarë të BE-së. Vetëm me këtë gjysmë miliardi euro do të kursehen xhepat e qytetarëve tanë. Kjo është një prej këtyre gjërave dhe ka shumë të tjera në kuadër të këtij plani, i cili na jep mundësinë që të kemi kushte dhe procese që janë krejt të njëjta me ato të shteteve anëtare”, ka deklaruar ai.
Tek ka shprehur frikën për pengesat që mund të shfaqen për shkak të mospajtimeve politike, Rama ka rikthyer çështjen e nismës së “Ballkanit të Hapur”, për të cilën ka thënë se ka pasur vetëm thashetheme.
e vetme është mendësia e vendeve të rajonit. Ndërhyrja e çështjeve të brendshme politike, retorika e brendshme ishte kundër interesave tona që nuk na lejoi të ecim më shpejt. Gjashtëshja e Ballkanit është pajtuar me deklaratën dhe të shohim, ose ecim përpara suksesshëm të gjithë ose dështojmë”, ka thënë Rama.
E komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka deklaruar se ndarja e 6 miliardë eurove për Ballkanin Perëndimor bëhet për ta integruar rajonin në tregun e përbashkët të BE-së. Edhe Varhelyi e ka marrë “Ballkanin e Hapur” si shembull se si duhet të bashkëpunojë rajoni.
“Një element që kemi marrë nga ‘Ballkani i Hapur’ ka të bëjë me tregun e përbashkët rajonal. Kemi kaluar në një nivel më lart, kjo do të thotë që në rast se dëshironi të trajtoheni si një shtet anëtar, atëherë ju duhet të trajtoni edhe vendet e Ballkanit Perëndimor si shtete anëtare. Pra, kjo funksionon vetëm nëse rajoni ndërvepron, përndryshe nuk do të jepet dot i njëjti trajtim. Sipas përllogaritjeve tona, me këtë plan së bashku me Planin e investimeve ekonomike rajoni duhet ta dyfishojë ekonominë gjatë dy vjetëve të ardhshëm”, ka theksuar diplomati evropian. “E kuptojmë që pjesëmarrja në tregun e përbashkët ka të bëjë edhe me konkurrencën në BE. Kjo konkurrencë është e fortë, krahasuar me partnerët e Ballkanit Perëndimor. Prandaj ne po ndajmë ndihma financiare që ta zbusim koston dhe për këtë arsye udhëheqësit e Këshillit të BE-së kanë vendosur që të jemi të mendimit që 6 miliardë euro të ndahen për rajonin. Kjo është sasia e fondeve që u jepet vendeve anëtare. Kështu deri në 2027 rajoni do të realizojë të njëjtin nivel ndihme”.
Sipas Varhelyit, kjo nuk është vetëm ide e Komisionit Evropian apo e Këshillit Evropian që ka vendosur të realizohet, por ka qenë ideja e gjithë rajonit.
“Tashmë po flasim dhe po themi se çfarë do të zbatojmë nga ky plan për këtë vit. Parlamenti dhe Këshilli po punojnë që të miratohet legjislacioni i duhur dhe ne po vijojmë diskutimet. Dita e sotme inkurajim për të gjithë ne që të ecet në mënyrë të përshpejtuar. Evropa është shumë burokratike bëhet fjalë për plane, por këtë herë ne kemi mundësi që të tregojmë se cilat janë përfitimet direkte ekonomike kur një vend bëhet anëtar. Një element tjetër shumë i rëndësishëm është që rajoni mund të bëhet gati për anëtarësim në BE edhe më shpejt”, ka deklaruar ai.
Kosova nuk i ishte bashkuar “Ballkanit të Hapur”, i cili si nismë mori fill nga Novi-Sadi me shtetet themeltare – Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në Samitin e së enjtes kryeministri Albin Kurti nuk ka marrë pjesë, por ka pasur një video-adresim.
Liderë të tjerë nga rajoni kanë thënë që përfituese nga ndihma e BE-së janë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Talat Xhaferi, kryeministër i Maqedonisë së Veriut, ka theksuar se kjo vlen edhe për Kosovën pavarësisht se BE-ja po e mban nën masa sanksionuese, të cilat ishin vendosur pas tensioneve të vitit të kaluar në veri të vendit.
“Vetë nocioni i Ballkanit Perëndimor përfshin të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, kështu që nuk mund të ketë aspekte përjashtuese. Çështja është në vendosjen e komunikimit të duhur dhe plotësimit të aspekteve që nënkupton plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor. Esenca është që vendet e Ballkanit Perëndimor të mos i bëhen pengesë njëra-tjetrës në veprimet paraprake që të integrohet Ballkani Perëndimor”, ka thënë Xhaferi.
I pyetur nëse mospajtimet politike midis Kosovës dhe Serbisë do të ndikojnë në integrimin dhe përfitimin nga ndihmat e BE-së, Xhaferi ka theksuar se mospajtimet sjellin edhe pengesa.
“Sigurisht se mospajtimet politike rezultojnë edhe me pengesa të tjera. Ideja është që të lihen anash mospajtimet politike, aspekti i ekonomisë të çlirohet nga ndikime politike që të mund të jetë në dobi të qytetarëve”, ka thënë ai.
Samiti është mbajtur një ditë pas atij “Ukrainë-Evropa Juglindore”, në të cilin është diskutuar mbi rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe për sigurinë e Evropës, dy vjet pas agresionit të Rusisë mbi Ukrainën.