Prishtina

Rama: Dy punonjës të “Pastrimit” u sulmuan fizikisht

Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se të shtunën janë kërcënuar dhe sulmuar disa punonjës të kontraktuar të Kompanisë Rajonale “Pastrimi”, duke thënë se sabotimi i motivuar politikisht “është kthyer në dhunë”.

Rama ka shkruar në Facebook se organet e Policisë së Kosovës janë informuar për rastin dhe kanë reaguar menjëherë.

“Mbrëmë ekipet e reja të kontraktuara për mbledhje të mbeturinave në Kryeqytet janë kërcenuar e sulmuar nga disa punonjës të Kompanisë Rajonale 'Pastrimi' në dy lokacione të lagjes Dardania. Në rastin e parë dy punonjës të kontraktuar janë sulmuar fizikisht, ndërsa në të dytin punonjës tjerë, po ashtu të kontraktuar, janë ndalur nga disa punonjës të Kompanisë Pastrimi dhe iu janë kërkuar letërnjoftimet dhe të dhëna tjera me qëllim të frikësimit. Organet e Policisë së Kosovës janë informuar dhe menjëherë kanë reaguar në vendin e ngjarjes. Për këtë veprim të menjëhershëm falënderoj Policinë e Kosovës”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.

Ai ka theksuar se sabotimi i punës është bërë nga menaxhmenti i “Pastrimit”, duke shtuar se Prishtina “ka qenë në llumin e mbeturinave.

“Tani që zgjodhëm problemin, të njëjtit eksponentë eskaluan nga sabotimi në dhunë. Dua të sigurojë qytetarët se ne nuk do të ndalemi dhe do ta bëjmë Prishtinën tonë të pastër e të gjelbër”, ka thënë ai.