Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se është iniciuar kallëzim penal ndaj Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, duke thënë se ky institucion i ka bllokuar të gjitha projektet transformuese.
Ai ka shkruar në Facebook se “përpjekjet për të punuar në interes të qytetarëve janë penguar nga strukturat qeveritare”, derisa u shpreh se kjo është bërë për arsye politike e për interesa të ngushta.
Rama ka thënë të hënën se do të veprojnë me vendosmëri ndaj secilit që guxon të shkelë ligjin dhe të cenojë të ardhmen e qytetarëve të Prishtinës.
Më 12 mars, Inspektorati për Trashëgimi Kulturore ia kishte ndaluar Ramës punimet në sheshin “Xhorxh Bush” pasi s'kishte bërë kërkesën për miratim të projektit tek Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve, me ç’rast ishin ndaluar punimet për projektin që peshon 18.4 milionë euro.
Inspektorati kishte vendosur shirita dhe shenja zyrtare për ndalim të punimeve, derisa i kërkonte Komunës së Prishtinës që të merrte leje në një afat prej 30 ditësh. Komuna më pas ka dorëzuar në Institut projektin për shtatë fazat e punimeve në shesh.
Ligji për Trashëgimi Kulturore përcakton se në situata ku zhvillohen punime afër monumenteve duhet leje me shkrim.
“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore, kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.
Dorëhiqet drejtori i Inspektoratit së Trashëgimisë Kulturore
Imer Hakaj ka dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit të Inspektoratit së Trashëgimisë Kulturore. Ai tha se këtë vendim e mori pasi Komuna e Prishtinës inicioi kallëzim penal ndaj këtij institucioni, pas Inspektorati kishte ndërprerë punimet në sheshin “Xhorxh Bush”.
Hakaj ka shkruar në Facebook se ndihet përgjegjës “për mosveprimet me kohë ndaj shkelësve të ligjit për trashëgimi kulturora nga ana e Komunës së Prishtinës”, derisa shtoi se s’do të ndalet në angazhimin për drejtesi.
“Përgjegjës për të gjitha veprimet e ndërmarra deri më tani jam dhe mbetem vetëm unë, si Drejtor i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, duke u nisur nga udhëzimi dhe miratimi për inspektim për Inspektorin e ITK-së. Personalisht, tani ndiej përgjegjësi të plotë zyrtare për mosveprimet me kohë ndaj shkelësve të ligjit për trashëgimi kulturore nga ana e Komunës së Prishtinës. Unë nuk ndalem asnjëherë në angazhimin tim për drejtësi. Nga funksioni zyrtar, njoh vetëm ligjin dhe kurrë grupet e interesave ditore”, ka thënë ai.
Hakaj ka shtuar se ditëve në vijim do të flasë mbi veprimet institucionale, derisa tha se ka kërkuar të largohet menjëherë nga detyra “për shkak të mosreagimit me kohë ndaj shkelësve të ligjit”.
“Gjatë ditëve në vijim do të informoheni për të gjitha veprimet institucionale. Ndërkohë, nga sot ofroj dorëheqjen time nga detyra zyrtare për mosndërmarrjen e veprimeve me kohë. Ndiej përgjegjësi për këtë dhe kërkoj nga ministri im, z. Hajrulla Çeku, largimin tim të menjëhershëm nga detyra, për shkak të mosreagimit me kohë ndaj shkelësve të ligjit”, ka theksuar ai.