Arbëri

Rama dhe Durmishi bien dakord për ristrukturimin e transportit publik

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, janë dakorduar për të ndërmarrë hapa konkretë drejt ristrukturimit dhe optimizimit të sistemit të transportit publik në kryeqytet.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, janë dakorduar për të ndërmarrë hapa konkretë drejt ristrukturimit dhe optimizimit të sistemit të transportit publik në kryeqytet.

Gjatë takimit të mbajtur të martën, ata vendosën krijimin e një grupi të përbashkët punues, i cili do të angazhohet në gjetjen e zgjidhjeve për problemet e trashëguara në këtë sektor.

Në përbërje të këtij grupi do të jenë përfaqësues nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), komuna e Prishtinës, komuna e Podujevës dhe shoqata e transportit. Puna e tyre ka nisur menjëherë pas takimit.

“Kjo iniciativë e përbashkët do të hapë rrugën për një transformim të vërtetë, duke siguruar që transporti publik të jetë një motor i zhvillimit urban dhe të kontribuojë në uljen e trafikut dhe përmirësimin e qarkullimit në qendër të kryeqytetit”, ka shkruar Rama në Facebook.

Transportuesit nga Podujeva ndodhen në grevë që prej 12 marsit. Ata kundërshtojnë vendimin e Komunës së Prishtinës që ndalon futjen e autobusëve ndërurbanë brenda qytetit.

Pritet që grupi punues të dalë me rekomandime konkrete për të adresuar këto çështje në javët e ardhshme.

Durmishi më 14 mars në Facebook kishte shkruar se vendimi i Përparim Ramës për transportin është në kundërshtim me ligjin. Ai kishte thënë se ka kërkuar urgjentisht që të shfuqizohet vendimi nga Komuna e Prishtinës. 

“Po presim që Komuna e Prishtinës të reflektoj dhe të shfuqizohet ky vendim deri të hënën. Nëse kjo nuk ndodh atëherë do të veprojmë ne në bazë të përgjegjësive e kompetencave ligjore që i kemi”, kishte shkruar Durmishi.