Arbëri

Rama: APK-ja konfirmoi se nuk kishe konflikt interesi mes meje dhe pronarëve privatë te Badoci

Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës Përparim rama ka thënë se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka mbyllur rastin për konflikt interesi ndaj tij. 

Ai ka thënë se me këtë vendim është konfirmuar se nuk kishe konflikt interesi mes tij dhe proanrëve privatë te Liqeni i Badocit. 

“Ju njoftoj se sot kam pranuar vendimin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, me të cilin, ka mbyllur çështjen për konflikt të interesit duke konfirmuar se nuk kishte konflikt interesi në mes meje dhe pronarëve privatë tek Liqeni i Badocit”, ka shkruar Rama në Facebook.

Sipas tij ky vendim reflekton përkushtimin e tyre për transparencë dhe integritet në të gjitha veprimet. 

“Gjatë gjithë këtij procesi, kemi bashkëpunuar plotësisht me Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe kemi siguruar të gjitha informacionet e nevojshme për të garantuar një hetim të drejtë dhe të paanshëm. E vlerësoj punën profesionale dhe të paanshme të Agjencisë dhe i falënderoj qytetarët për besimin dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Puna jonë për transformimin e Prishtinës tonë, nuk mund të ndalet asnjëherë!”, ka shkruar Rama.

Vendimi për shkëmbimin e pronave në Badoc ishte anuluar në shkurt të këtij viti nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.

Para se të votohej për anulimin e shkëmbimit të pronave, kryetari Rama së bashku me asamblistët e LDK-së e kishin lëshuar sallën.

Anulimi i vendimit kishte quar edhe në prishje të koalicionit qeverisës në Prishtinë. 

Vetëm 15 minuta pasi Kuvendi Komunal kishe votuar për anulimin e shkëmbimit të pronave, nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili kishte njoftuar që janë larguar nga koalicioni qeverisës me LDK-në në kryeqytet.