Rahoveci është komuna me shkallën më të lartë të transparencës gjatë vitit 2020, ka bërë të ditur Instituti i Demokratik i Kosovës.
Sipas raportit të publikuar, Komuna e Rahovecit ka 90 pikë, pasuar nga Drenasit, Lipjani, Gjakova dhe Mitrovica e Jugut. Me më së paku pikë është poentuar Mitrovica e Veriut dhe komunat e tjera veriore, si dhe ato me shumicë serbe.
Gjetjet kryesore të KDI-së kanë të bëjnë me transparencën në përfshirjen e publikut në seancat e Kuvendeve Komunale, transmetimet e tyre online etj.
Sipas raportit, komunat çalojnë në përmbushjen e obligimeve rreth integrimeve evropiane, ku vetëm gjashtë komuna kanë treguar transparencë të plotë rreth ecurisë dhe përmbushjes së obligimeve për proceset integruese.
Përpos kësaj, shumica e komunave nuk kanë arritur të organizojnë dëgjime buxhetore, ku prej 38 komunave, vetëm 16 prej tyre kanë arritur të plotësojnë këtë kusht. Derisa, vetëm 9 komuna kanë ofruar qasje për publikun në materialet e mbledhjeve të Kuvendit Komunal.
Instituti Demokratik i Kosovës ka rekomanduar që komunat të punojnë në organizimin e dëgjimeve buxhetore, të përkthehen në gjuhë zyrtare të materialet e dala nga mbledhjet e Kuvendeve Komunale e të tjera.