Arbëri

Radojeviq: Shtatë policë erdhën të më kërkonin për të më dorëzuar ftesën

Milan Radojeviq

Ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, që dikur ishte edhe zëvendëministër i Punëve të Brendshme në Kosovë, ka thënë se nuk e ka pranuar fizikisht ftesën për t’u intervistuar nga Policia e Kosovës. Ai është ankuar se shtatë policë kanë shkuar dje nëpër lagje duke e kërkuar që t’ia dorëzonin ftesën.  Radojeviq është paraqitur të mërkurën në polici. 

“Shtatë policë kanë shkuar dje te fqinjët e mi, nga shitore në shitore, për të më gjetur që të më dorëzojnë ftesën. Jam i shokuar. Unë megjithatë jam ish-kryetar i këtij qyteti, ish-zëvendësministër i Brendshëm, nuk fshihem askund. Dihet adresa ime. Shtatë policë kanë shkuar e kanë shqetësuar fqinjët e mi. Kanë kërkuar që ata të më gjejnë si dinë. Kanë ardhur te familja ime dhe kanë thënë se nuk do të largohen derisa të më kontaktojnë. Në atë moment isha në udhëtim në Serbi qendrore. Unë nuk fshihem. Kam ardhur këtu. Nëse problemi qenka se punoj për institucionet e Serbisë e them se jam shumë krenar për këtë. Kam kërkuar të marrë ftesën të shoh për çfarë më ftuan. Më duket si mungesë profesionalizimi, më e pakta të them. Erdha në ora 10:00 e më pas në ora 14:00. Nuk e di çfarë duan”, tha Radojeviq. 

Policia e Kosovës ka ftuar pesë serbë për intervistim lidhur me mbylljen e komunave paralele në veri të Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se katër serbëve u është dërguar ftesa për intervistim, ndërsa njëri prej tyre nuk ka qenë në Kosovë. Pesë serbët dyshohen për "falsifikim të dokumenteve".