Arbëri

Qytetari në karrocë padit Komunën e Fushë-Kosovës

Besart Ramadani ka ushtruar padi ndaj Komunës së Fushë-Kosovës për mungesë të kushteve infrastrukturore për lëvizje në trotuare, për qasje në objekte publike dhe për mungesë të parkingjeve për personat me nevoja të veçanta. Nëpërmjet kësaj padie janë kërkuar edhe 13 mijë euro dëmshpërblim, por që kjo shumë mund të ndryshojë pas vlerësimit të ekspertëve. Lidhur me rastin, zyrtarët komunalë nuk kanë qenë të gatshëm që të deklarohen

Padi ndaj Komunës së Fushë-Kosovës ka ushtruar Besart Ramadani, i cili është i lidhur për karrocë. Ai ankohet se jetën po ia rëndon infrastruktura në Komunën e Fushë-Kosovës, që ia pamundëson lëvizjen e lirë dhe qasjen nëpër institucione publike. Thotë se personat me nevoja të veçanta, krahas problemeve shëndetësore që i kanë, përballen edhe me telashet për t’u qasur në trotuare, rrugë, objekte e parkingje. E për të gjitha këto probleme, ai thotë se fillimisht i ka shkruar kryetarit të Komunës, Burim Berisha, porse nuk ka marrë përgjigjen e duhur.

“Kërkesa jonë fillimisht ka qenë për rregullimin e infrastrukturës në qasje për persona me aftësi të kufizuara, rregullimin e trotuareve, parkingjeve... kushteve elementare për qasje për persona me aftësi të kufizuara. Fillimisht i kam dërguar kryetarit një kërkesë për kërkesat e mia dhe personave me aftësi të kufizuara, edhe përgjigjja ka qenë e thjeshtë: ‘Ne kemi punuar’. Përgjigjja ka qenë për të kaluarën e jo për të ardhmen. Unë kam kërkuar për të ardhmen të na rregullojnë edhe të ndërmarrin diçka në afat të shkurtër dhe përgjigjja ka qenë jo e duhura dhe e kam parë të arsyeshme që të ushtroj padi”, tregon Ramadani.

Pa kushte adekuate infrastrukturore, ai thotë se personat me nevoja të veçanta e kanë të pamundur që t’i kryejnë punët e tyre.

“Nëse dua të shkoj në Qendrën e Mjekësisë Familjare ose nëse dua të shkoj në Komunë, apo të dal për të pirë një kafe, është një sfidë shumë e madhe. Duhet të mendosh dy orë më herët për të shkuar për ta kryer një punë 10 minuta ose 15 minuta. Duhet të mendosh 2-3 orë më herët për t’u përgatitur, ta thërrasësh dikë ‘hajde asistom’, edhe kjo është arsyeja që unë kam ushtruar padi”, shprehet ai.

Ramadani thekson edhe se shkaku i mungesës së parkingjeve të ndara për persona me nevoja të veçanta, disa herë është gjobitur nga Policia për parking të parregullt.

Krahas të gjitha telasheve, ai thotë se jo të lehtë e pati qasjen edhe në objektin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, dega në Fushë-Kosovë, për ta dorëzuar padinë e tij.

“Nuk ishte edhe bash e lehtë. Edhe ajo pjerrina që është aty nuk është adekuate për përdorues të karrocave. Edhe aty duhet të të asistojë dikush. Ky është problemi më i madh, të cilin e kemi ne, përdoruesit e karrocave ose personat me aftësi të kufizuara. Kemi nevojë gjithmonë ta marrim dikë me veti”, thotë ai. “Duam edhe ne të dalim vetë sikurse krejt personat e tjerë. Për shembull, sikur kryetari i komunës që çohet në mëngjes, i hip kerrit edhe vjen në punë. Edhe unë dua t’i hip kerrit për të shkuar diku vetë, pa e marrë dikë ose pa e angazhuar dikë me ia humb kohën dhe me e obligu dikë tjetër për t’u marrë me problemet e mia personale. S’kam kërkuar kurrgjë ma shumë, vetëm çka na takon me ligj edhe me Kushtetutë”.

Latife Neziri, avokate e Ramadanit, thotë se nëpërmjet kësaj padie është kërkuar mbrojtje nga diskriminimi për këtë kategori të qytetarëve.

“Ne në padi jemi fokusuar në tri çështje kryesore: njëra është çështja e trotuareve që nuk janë të ndërtuara sipas standardeve dhe nuk kanë rënie në vendet ku duhet të kalohet. Më pastaj, edhe tek objekti i Shëndetësisë në Bresje, edhe mungesa e parkingjeve për persona me aftësi të kufizuara në Komunën e Fushë-Kosovës”, tha ajo. Neziri e përshkroi gjendjen si të njëjtë në të gjitha komunat e Kosovës.

“Është fakti i njohur që në përgjithësi në Kosovë mungon infrastruktura për qasje për persona me aftësi të kufizuara. Ka disa raporte nga organizata që avokojnë për të drejtat për personat me aftësi të kufizuara në nivel nacional dhe nivel ndërkombëtar, edhe te raportet e Avokatit të Popullit qasja në infrastrukturën publike ose në infrastrukturën që është destinim për publikun nuk është adekuate dhe nuk është konform standardeve”, tha Neziri.

Qasja për persona me aftësi të kufizuara, sipas saj, është parakusht themelor për jetesë të pavarur.

E zyrtarët komunalë nuk kanë qenë të gatshëm që të deklarohen rreth padisë së ushtruar, me arsyetimin se nuk e kanë parë atë ende.

Avokatja Neziri theksoi se deri më tash në Kosovë janë ushtruar pesë padi ndaj autoriteteve nga personat me nevoja të veçanta. Në padinë e së enjtes, nga Komuna e Fushë-Kosovës është kërkuar edhe një dëmshpërblim prej 13 mijë eurosh, porse kjo shumë mund të ndryshojë pasi që ekspertët ta bëjnë vlerësimin e dëmeve materiale dhe emocionale të Besart Ramadanit.

© KOHA Ditore