Ndryshe prej atyre në veri të Kosovës, në gjashtë komunat jugore, të banuara kryesisht me serbë, qytetarët thonë se e kanë pranuar lehtësisht bashkëjetesën me shqiptarët. Ata theksojnë se nuk u ka penguar prania e policisë dhe as e flamurit të Kosovës. E teksa ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i fajëson qeveritë e mëparshme për mosintegrimin e qytetarëve të veriut, profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, thotë se tensionet në veri janë rezultat i pranisë më të madhe të strukturave paramilitare
Komuna, kompani e ndërmarrje publike, shkolla fillore e universitete paralele të financuara nga Qeveria e Serbisë, ka në shumë qytete të Kosovës, në të cilat jetojnë pjesëtarë të komunitetit serbë.
Por, ndryshe nga komunat veriore, në të cilat qytetarët serbë po protestojnë prej 12 ditësh kundër kryetarëve të rinj shqiptarë, situata në gjashtë komunat e tjera të Kosovës me shumicë serbe është e qetë.
Për dallim nga komunat në veri, qytetarëve të Graçanicës nuk po u pengon prania e policisë së Kosovës, e as flamuri i vendosur në objektin e stacionit policor.
Aty, banorët serbë thonë se e pranuan lehtësisht bashkëjetesën me pjesën tjetër të qytetarëve shqiptarë.
“Populli shqiptar duhet të bëjë lëshime, por njësoj edhe populli serb të ulet për dialog dhe në mënyrë paqësore ti zgjidh problemet, që do t’iu sjell të mira edhe popullit shqiptar edhe atij serb, dhe të gjithë të tjerëve. Nëse dikush ka bërë diçka keq, policia le ta arreston, gjykata ta gjykojë, për të gjithë po flas. Shumë vështirë, por duhet të bëhet mirë, ne së bashku jetojmë”, tha një qytetar i Graçanicës.
“Po hetohen tensionet, a është mirë, nuk është. Nuk e di si do të më kuptoni, por unë nuk e dua policinë fare. As ajo që ka qenë më herët, as kjo tash. E vetmja uniformë që urrej, është ajo e policisë dhe e priftërinjve”, tha një qytetar nga Uglari.
E ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, gjatë hedhjes së gurthemelit për ndërtimin e shtëpisë së një serbi në Graçanicë, i fajësoi qeveritë e mëparshme se nuk kanë bërë mjaftueshëm për integrimin e komunave veriore.
“Kemi pasur rastin që disa kryeministër i kanë konsideruar se janë miq të shtëpisë këta përfaqësuesit prej veriu dhe unë më së paku i fajësoi qytetarët e veriut. Unë i fajësojë institucionet, pasi që ne kemi krijuar kushte që të krijohet një vakum i tillë”, tha Rashiq.
Nexhmendin Spahiu, profesor i shkencave politike, mendon se situata në veri është më e tensionuar shkaku i pranisë më të madhe të strukturave paralele në atë pjesë.
“Komunat me shumicë serbe në pjesën tjetër të Kosovës nuk ka të pranishëm struktura paramilitare që do t’i detyrojnë qytetarët që të dalin në protesta, kurse në veri ka forca të organizuara të Serbisë të cilat i detyrojnë qytetarët që të bëjnë pjesë në protesta. Pse Serbia investon në veri është se veriu është krucial për ekzistencën e Kosovës, Liqeni i Gazivodës ndodhët aty dhe ai është arterie kryesore e jetës së Kosovës”, tha Spahiu.
Tensionet në veri u ngritën pas vendimit të Qeverisë për t’i përcjellë me polici kryetarët e rinj nëpër objekte komunale. Ata u zgjodhën më 23 prill, në zgjedhjet e bojkotuara nga serbët, pas thirrjes nga Lista Serbe.