Arbëri

Qytetarët shmangin daljen nga Kosova përmes Serbisë

Pas politizimit që Serbia i bëri vrasjes së një polici, akt që dyshohet se e ka kryer Faton Hajrizi, Ministria e Punëve të Jashtme, kërkoi nga kosovarët të shmanget ky shtet. Të shtunën, numër i vogël automjetesh përdorën pikën kufitare në Merdar për të kaluar në Serbi. Por, mërgimtarët nuk e ndërruan rrugën. Në pikëkalime ata pritën deri në dy orë në kolonë për të hyrë në Kosovë

Vetëm automjete me targa të Serbisë, pasditen e së shtunës kanë dalë nga Kosova për në këtë shtet, në vendkalimin kufitar në Merdare të Podujevës.

Ministria e Jashtme e Kosovës kërkoi shmangien e këtij shteti, pas politizimit që Serbia i bëri vrasjes së një polici dhe plagosjes së një tjetri, akt që dyshohet se e ka kryer i arratisuri nga burgu i Smrekonicës, Faton Hajrizi, për të cilin autoritetet serbe thanë se e vranë të premten.

Sipas të dhënave në kohë reale që ofron Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, pritjet për të dalë nga Kosova gjatë ditës, përmes pikës kufitare në Merdare ishin 5 deri në 10 minuta, ndërsa në pikën kufitare Dheu i Bardhë, deri në 10 minuta.

Por, pritje të gjata janë raportuar për të hyrë në Kosovë. Pavarësisht thirrjes së Ministrisë që të shmanget Serbia si vend transit, qytetarët kanë shfrytëzuar këtë shtet për të ardhur në Kosovë.
Mërgimtari nga Austria, Halim Kabashi, tha se nuk ka hasur në probleme gjatë kalimit nëpër Serbi.
“Probleme, asgjë nuk kemi pas hiç. Ma mirë nuk ka qysh. Kolona ka pas normalisht, por me na ngucë nuk na kanë ngucë. Gjithçka ka qenë në rregull”, ka thënë Kabashi.

E Fatmir Kryeziu tha se gjatë rrugës, nuk ka pasur kolona të gjata.

“Nuk kemi pas asnjë problem. Nuk ka pas kolona të gjata. Ka qenë në rregull si çdo herë”, ka thënë Kryeziu.

Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, gjatë ditës, pritjet për të hyrë në Kosovë në pikën kufitare në Merdar dhe atë te Dheu i Bardhë, kanë qenë deri në 2 orë.

Gjatë sezonës së verës kur mërgata e Kosovës që ndodhet në perëndim, hyn nëpërmjet Serbisë, në vendkalime kolonat kanë qenë disakilometërshe në vitet e fundit dhe pritjet deri në 8 orë. Por, Serbia është shmangur së fundmi, pasi arrestoi një numër qytetarësh të Kosovës me dokumente të shteteve të perëndimit, e të cilët i akuzoi për krime lufte.

Ndërkaq, pas ngjarjeve të kësaj jave, kur Hajrizi vrau një polic serb, ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, fajësoi Kosovën dhe tha se ngjarja ka qenë e planifikuar. Sipas tij, policët duhet t’u qasen ndryshe kosovarëve që udhëtojnë nëpër Serbi.