Duken si rrjetë merimangash, por në fakt janë kabllo të shumta të energjisë elektrike në kryeqytet. Në mesin e tyre ka edhe kabllo të kompanive tele-komunikuese.
Qytetarët ndihen të rrezikuar nga to, e sidomos kur ka erëra të forta, mundësia për rrëzimin e tyre është më e madhe, raporton emisioni 038 i KTV-së.
Si zgjidhje për ta evituar rrezikun, po shihet bartja e tyre nëntokë.
Gjendja më e rënduar nga kabllot elektrike është në lagjen “Pejton”.
Aty, kompania për distribuim dhe furnizim me energji elektrike, KEDS, thotë se nuk po mund t’i zhvendosë kabllot nën tokë, për shkak se lagjja nuk ka plan urbanistik.
Mirëpo, në komunë thonë se vlerësimi i KEDS-it nuk qëndron, pasi, sipas tyre, ky proces nuk ka të bëjë me planin urbanistik për këtë lagje.
Sipas KEDS-it, përgjithësisht, shumica e rrjetit në qytetin e Prishtinës tashmë është me shtrirje nëntokësore.
Më herët, projekte të tilla, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, thotë se janë bërë edhe për lagjet “Emshir” dhe “Mati 1”.
Në lagjet më të vjetra të qytetit, si “Bregu i Diellit”, “Dardania”, “Qendra” apo “Ulpiana”, Buzhala thotë se pjesa dërrmuese e rrjetit ka qenë nëntokësor që nga vitet e ‘70-a.