Qytetarët e Prishtinës kanë protestuar të dielën në rrugën “Xhorxh Bush” kundër mbylljes së po kësaj rruge.
Protestës së nisur nga ora 12:00, i janë bashkuar dhjetëra qytetarë, të cilët e kanë shprehur zhgënjimin e tyre lidhur me mbylljen e kësaj rruge vitin e kaluar nga kryetari i komunës, Përparim Rama.
“Nuk është ai fajtor, është populli fajtor. Duhet të rregullohet me ligj që kryetari i komunës të dalë para qytetarëve një herë në muaj për të dhënë raport se çfarë ka punuar, asamblistët, kryetarët e komunave, kryetari i Qeverisë, jo para partiakëve të tyre, jo para argatëve të vet, por para qytetarëve. Ne ua kemi dhënë votën. Unë e di se ky popull është i sëmurë, prej Presidentes e deri te më i vogli”, ka thënë, Fatmir Muçolli, njëri prej qytetarëve të pranishëm në protestë.
Ndërsa, qytetari tjetër, Asllan Bajrami, është shprehur se vendimi për mbylljen e kësaj rruge do të duhej të bëhej në konsultim me qytetarët.
“Kjo rrugë nuk është dashur që në këtë mënyrë të bllokohet. Është dashur të bëhen konsultime me qytetarë, të gjenden alternativat për të mos u bllokuar qytetarët. Këtu nevojitet një koordinim, bashkëpunim i organeve të Kuvendit Komunal me qytetarët. Kryetari i komunës më ngjan sikur të jetë drejtor i rrugës ‘Xhorxh Bush’, është mirë që të organizohet një grup, të bëhet një peticion që kjo rrugë patjetër të zhbllokohet. Jemi për masa, jemi për ndryshime dhe këso soji nuk do të lejojmë. Kjo rrugë duhet të hapet”, ka thënë ai.