Arbëri

S’pritet hapja e urës së Ibrit pa “dritën e gjelbër” të ndërkombëtarëve

Vendimi për hapjen e urës së lumit Ibër në Mitrovicë është mirëpritur nga qytetarët shqiptarë të jugut e të veriut, ndërkaq serbët i janë përgjigjur me heshtje. Analistët në qytetin e ndarë etnikisht thonë se jetësimi i vendimit mund të bëhet vetëm në rrethanën kur me të pajtohen edhe ndërkombëtarët

Që prej pasluftës, serbët kanë vënë barrikada në anën veriore të urës së Ibrit, duke e pamundësuar qarkullimin me automjete mes pjesëve të qytetit të ndarë etnikisht. Ato kanë ndërruar forma të ndryshme ndër vite, e pengesa e fundit është mur betoni.

Pranë tyre bëjnë roje ditë e natë xhandarmëria italiane, për t’u kujdesur për sigurinë e qytetarëve që urën e përshkojnë vetëm në këmbë.

Por heqjen e kufizimit të lëvizjes me automjete, si dhe bashkëjetesën e qytetarëve të veriut me ata të jugut, po synon ta bëjë Komuna e Mitrovicës së Veriut, pak muaj pasi Lista Serbe braktisi institucionet.

Një ditë më parë, Kuvendi Komunal mori vendim për hapjen e urës.

Asamblistja Aida Doli, që ka iniciuar vendimin, thotë se kjo do t’u shërbejë njëjtë si shqiptarëve, ashtu edhe serbëve.

“Urat na bashkojnë dhe nuk na ndajnë. Unë besoj që lirimi i urës për mjete motorike na shërben të gjitha komuniteteve pa dallim etnie. Unë shpresoj dhe besoj që shumë shpejt të lirohet dhe të na lehtësohet edhe neve jeta si qytetarë të këtij vendi”, ka theksuar ajo.

Nga jugu në veri dhe anasjelltas mitrovicasit me veturë duhet t’i sillen rreth e rrotull qytetit, në pamundësi të lëvizjes përmes urës. Kësaj situate qytetarët shqiptarë thonë se duhet t’i vijë fundi, derisa ata serbë nuk pranuan të deklarohen fare.

“Ura duhet të lirohet patjetër. Qe 23 vjet është e mbyllur. Ne po kemi problem të udhëtojmë, po duhet krejt anasjelltas të sillemi, e këtu e kemi shumë më afër. Ura është dashur shumë më herët të lëshohet”, ka thënë Ismet Xhema, që jeton pak metra larg urës, në anën veriore.

Edhe Ramadan Hiseni, që jeton në Mitrovicë të Jugut, lutet që ura të hapet për automjete.

“Ndoshta ishalla tash po hapet. Duhet të jetë qarkullimi i lirë për të gjithë, në mënyrë që edhe ne të mund të shkojmë te shtëpia jonë”, thotë Hiseni, i cili ka shtëpinë e djegur që nga lufta, në Mitrovicë të Veriut.

Revitalizimi i urës së Ibrit ishte paraparë në marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 2015 në Bruksel. Edhe pse 6 vjet më parë kanë përfunduar punimet me investime milionëshe të BE-së, ura vazhdon të jetë e mbyllur për veturat.

Hapja e saj, sipas kryetarit të KMDLNJ-së për rajonin e Mitrovicës, Halit Barani, nuk mund të bëhet pa miratimin e bashkësisë ndërkombëtare, që, sipas tij, është një nga shkaktaret e mbylljes.

“Urën mund ta hapin vetëm ata që e kanë mbyllur. E ata që e kanë mbyllur janë një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, bashkë me kriminelët që jetojnë në pjesën e okupuar të Mitrovicës”, ka thënë ai.

Megjithatë, optimist se ura do të hapet është analisti serb, Branislav Kërstiq. Ai thotë se aktualisht mund të mos jetë momenti për hapjen e urës për shkak të sfidave të sigurisë në veri, porse thotë se Bashkimi Evropian duhet ta mundësojë këtë liri themelore të njerëzve, pavarësisht se çka mendon presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

“Më duket që është normale që dikush nga autoritetet ndërkombëtare ta shtrëngojë dorën e diktatorit në Beograd dhe të dërgojë rekomandime që hapja e urës është e domosdoshme për të gjithë ne që jetojmë në Mitrovicë. Jam i sigurt që hapja e urës vjen, por jo më shpejt se në 30 ditët e ardhshme, që do të thotë se në muajin korrik do ta kemi atë”, ka shprehur pritjen Kërstiq.

Por, pavarësisht se marrëveshja për lirinë e lëvizjes, e arritur prej gati një dekadë në Bruksel, kërkon rivitalizimin e urës, ndërkombëtarët thonë që tani nuk është momenti që ajo të hapet.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë të premten se nuk është koha për këtë vendim.

E, asamblistja që ka iniciuar vendimin ka replikuar në distancë me Lajçakun.

“Unë e kam vetëm një pyetje; kur është koha? Sepse qe sa vjet kjo ka qenë edhe marrëveshje e Brukselit”, ka pyetur Aida Doli.

Beogradi zyrtar e ka kontrollin mbi veriun, kryesisht nëpërmjet Listës Serbe. E një ditë më parë, kjo parti kërcënoi me incidente, në rast se dikush përpiqet ta hapë urën.

Lumi Ibër ndan Mitrovicën etnikisht, në veriun e banuar me serbë dhe jugun e banuar me shqiptarë. Ura, ndërkaq, prej çlirimit të Kosovës nga Serbia, më shumë se dy dekada më parë, është bërë simbol i ndarjes etnike ndërmjet shqiptarëve e serbëve. Ka përbërë arenë të përballjeve, edhe të përgjakshme.

KFOR: Çështja e urës duhet zgjidhur përmes dialogut politik

Në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë thënë të shtunën se çështja e urës duhet të marrë zgjidhje nga palët, vetëm nëpërmjet dialogut politik.

“Rihapja e urës së Austerlitz-it është një çështje që duhet zgjidhur përmes dialogut politik. KFOR-i gjithashtu vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga BE të mund të ecin përpara”, është thënë në përgjigjen me shkrim që KOHËS ia ka ofruar KFOR-i.

“Austerlitz” është sinonim për beteja të përgjakshme dhe pikërisht këtë emërtim pjesëtarët e KFOR-it francez ia kishin vënë urës qysh kur e patën rinovuar më 2000-n. Austerlitz është një vend në jugperëndim të qytetit Brno në Sllovaki, ku rreth 220 vjet më parë pati një betejë ndërmjet francezëve dhe austro-rusëve. Francezët, që luftuan nën komandën e Napoleon Bonapartës, e patën fituar betejën. Në kujtim të të rënëve në atë përballje të përgjakshme, i është vënë emri edhe një ure që ndodhet në Paris, në afërsi të Kullës së Eifelit. Pamja e kësaj është përdorur si model nga francezët, kur e kanë rinovuar urën e Ibrit.