Komuna e Shtimes ka nisur ta ndërtojë një rrugë unazore, por pas fillimit të punimeve është përballur me disa padi nga qytetarët. Ata thonë se nuk janë të interesuar t’i japin pronat private derisa në hyrje të trasesë ekziston një rrugë publike, e cila, sipas tyre, mund të shfrytëzohet. Në Komunë e kanë lanë të hapur mundësinë për ndryshim të projektit
Së paku tre qytetarë të Shtimes kanë iniciuar padi ndaj Komunës për projektin e rrugës unazore, e cila parashihet të kalojë nëpër prona private, me gjatësi prej rreth një kilometri, me qëllim për t’i lidhur rrugën “Adem Jashari” dhe atë “Anton Çetta”.
Disa nga banorët nuk janë të interesuar t’i japin pronat private me arsyetime se në hyrje të kësaj traseje ekziston rruga publike, e cila mund të shfrytëzohet.
“Nuk jemi të interesuar që ta bllokojmë, por jemi të interesuar që Komuna ta shfrytëzojë pronën e vet publike e pastaj... Nuk lejojmë, sepse dëmtohemi dhe nuk kemi pronë që ta punojmë, sepse këta i marrin katër arë, kurse ne i kemi gjithsej vetëm 7 arë. Në 3 arë ne nuk mundemi me punu asgjë dhe kjo është arsyeja që ne kemi bërë padi”, ka thënë banori Rasim Avdyli.
Banori tjetër, Zymer Avdyli, thotë se komuna ka zgjidhje të tjera që nuk do të preknin ato të qytetarëve.
“Le ta marrin pronën e shtetit, ndërkaq pjesa tjetër që i duhet për ta zgjeruar rrugën atëherë ne ua japim. Pra, tani nuk kemi telashe, kurse tani kemi telashe pse po na marrin pronën tonë dhe po e lënë të pashfrytëzuar pronën e shtetit në pjesën tjetër. Qe 5 herë që shkoj në Komunë, pastaj kam bërë edhe padi në gjykatë dhe u kam treguar se rrugën nuk do ta liroj derisa Komuna ta marrë pronën publike”, ka thënë ai.
E drejtori për Urbanizëm në Komunën e Shtimes, Grejtalb Emini, u shpreh se do të shqyrtohen kërkesat e qytetarëve dhe do të ndryshohet projekti me vendim të Kuvendit.
“E kemi një vendim të Kuvendit të cilin duhet ta zbatojmë, por ekziston edhe plotësim-ndryshimi i vendimit për të cilin unë jam zotuar para palëve se shumë shpejt, pasi që të mbushet traseja me zhavorr, atëherë do ta rregullojmë atë pjesë me vendim të Kuvendit. Është edhe një ankesë tjetër, e cila nuk ka zyrtarisht padi, mirëpo i jam përgjigjur pozitivisht edhe palës tjetër, kështu që jemi të hapur për këtë procedurë”, deklaroi Emini.
Ministria e Infrastrukturës ka planifikuar që projektin e rrugës unazore ta mbështesë me 370 mijë euro. Ndërkaq Komuna e Shtimes në buxhetin e vitit 2023 ka planifikuar t’i shpenzojë gjithsej 100 mijë euro për shpronësime, ndërkaq në trasenë e kësaj rruge janë 49 pronarë që presin kompensimin.