Arbëri

Qytetarët nënshkruajnë peticionin pro tërheqjes së 30 % të Trustit, thonë se janë në krizë

Peticion per terheqje nga Trusti

Gjatë ditëve të vikendit ka filluar nënshkrimi i peticionit nga qytetarët për tërheqjen e 30 për qind të Trustit në qytete të ndryshme.

Gjatë ditës organizatorët qëndruan në sheshin e Prishtinës, ku thanë se deri më tani janë mbledhur qindra nënshkrime dhe se presin që shumë shpejt ky numër të arrijë në 10 mijë, për t’u dërguar pastaj në Kuvendin e Kosovës.

Në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë, u pa një fluks i madh i qytetarëve për të nënshkruar peticionin. Sipas tyre, mjetet duhet të tërhiqen pasi kjo do të ishte një ndihmesë e madhe për ta.

“Interesimi i qytetarëve është jashtëzakonisht i madh për shkak se javën e kaluar deputetet e Kuvendit të Kosovës nuk e votuan projektligjin që e lejon 30 për qind të Trustit. Qytetarët janë të revoltuar dhe të zhgënjyer. Për këtë arsye ata në grupin e pro tërheqjes së 30 për qind e trustit në Facebook dhe jashtë grupit e kanë shprehur interesimin e tyre për të nënshkruar peticionin që mundëson riprocedimin në Kuvend përsëri të projektligjit. Qytetarët janë mbledhur sot edhe në Fushë Kosovë për t’i bërë nënshkrimet e tyre, gjithashtu në Prishtinë dhe Han të Elezit. Po ashtu, qytetarët në bazat e tyre personale, përmes kolegëve të punës dhe miqve po nënshkruajnë, pastaj i sjellin te ne në Ferizaj, Gjilan dhe në shumë qytete të tjera. Edhe punëtorët e Feronikelit dhe të KEK-ut, kanë shprehur vullnetin e tyre që të nënshkruajnë, dhe besojmë që shumë shpejtë ky numër do të arrihet në 10 mijë sa është i paraparë që të shkojë në Kuvend”, tha Adnan Jashari, organizator i peticionit.