Shkaku i paqartësisë së krijuar qytetari i Prishtinës, Ferit Fazliu, thotë se ka mbetur pa i paguar faturat për mbeturina tash e dy muaj. Komuna e Prishtinës doli me njoftim gjatë javës për të përsëritur kërkesën që pagesat për shërbimet e pastrimit të bëhen drejtpërdrejt në zyrat e Komunës dhe jo te “Pastrimi”. Kryeshefi i kësaj kompanie, Petrit Reçica, e ka akuzuar qeverisjen komunale për veprim të qëllimshëm që ka për synim t’i shkaktojë rëndim financiar “Pastrimit”. E asamblisti opozitar, Feim Osmani, e ka vlerësuar veprimin e Komunës së Prishtinës si shkelje, shkaku se nuk e vë në zbatim vendimin e Kuvendit Komunal
Ferit Fazliu nga Prishtina është zhytur në dilemë se ku do t’i duhej që t’i paguante faturat e radhës për shërbimin e mbledhjes së mbeturinave.
Këtë dilemë ai thotë se ia ka shkaktuar beteja e ditëve të fundit midis Komunës së Prishtinës dhe kompanisë rajonale për mbledhjen e mbeturinave “Pastrimi” rreth adresës së pagesës së faturave.
E shkaku i situatës Fazliu thotë ka ngelur pa i kryer obligimet për mbeturinat prej tash e dy muaj.
“Unë faturën e zbres prej faqes së Komunës, domethënë hyj në faqe të Komunës, ku thotë fatura e pastrimit, e zbresim dhe në bazë të saj e paguaj. Tash që është bërë ky lloj pështjellimi, këta 2 muajt e fundit nuk i kam paguar, se nuk e di ende”, është shprehur ai.
Komuna e Prishtinës të enjten ka dalë me njoftim duke e përsëritur kërkesën që pagesat për shërbimet e pastrimit të bëhen drejtpërdrejt në zyrat e Komunës dhe jo në kompaninë “Pastrimi”.
“Komuna e Prishtinës njofton opinionin publik se pagesa e faturave për shërbimet e pastrimit duhet të bëhet në Komunë. Qytetarët që kanë kryer pagesat në kompaninë ‘Pastrimi’ mund të paraqesin dëshmitë përkatëse dhe ato pagesa do të llogariten si të realizuara”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
E në kompaninë “Pastrimi” kanë thënë se Komuna e Prishtinës është duke i keqinformuar qytetarët me informacionin se pagesat e mbeturinave do të numërohen si të realizuara, pa marrë parasysh se ku ekzekutohet.
Petrit Reçica, kryeshef i “Pastrimi”, ka thënë se Komuna i ka ndërmarrë qëllimshëm këto veprime, në mënyrë që të shkaktojnë rëndim financiar për kompaninë në funksion të hapjes rrugë për kontrata të jashtëligjshme për operatorët privatë.
“Pagesat e bëra në Komunë do të mund të llogariten vetëm nëse Komuna, para dërgimit të rasteve në përmbarim, do të bëjë pagesat te KRM ‘Pastrimi’. Deri më tani nuk kemi asnjë pagesë nga Komuna e as nga qytetarët, derisa borxhi ndaj KRM ‘Pastrimi’ ka arritur vlerën afër 2.5 milionë euro. Gjithashtu regjistri i klientëve në komunë është vetëm rreth 72 mijë klientë, ndërsa ne si ‘Pastrim’ e kemi të përditësuar regjistrin e klientëve, ku janë afër 95 mijë ”, ka theksuar ai.
Reçica ka paralajmëruar se pas 20 prillit të gjithë ata që nuk i kanë kryer pagesat për mbledhjen e mbeturinave do të dërgohen te përmbaruesi privat.
E Feim Osmani, asamblist i Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në opozitë, ka thënë se Komuna e Prishtinës është duke bërë shkelje, për shkak se nuk është duke e zbatuar vendimin e Kuvendit Komunal që pagesat e mbeturinave të kryhen te kompania “Pastrimi”.
“Kuvendi e ka votuar një rregullore që ia kthen pjesën e menaxhimit të pagesës ndërmarrjes, mirëpo me këtë nuk është pajtuar menaxhmeti komunal, përkatësisht Drejtoria për Shërbime Publike, dhe çështjen e ka adresuar tek gjykata, derisa të merret një vendim, i cili po shihet se do të vonojë”, ka theksuar ai.
Në dhjetor të vitit të kaluar Asambleja Komunale në Prishtinë ka votuar me inicimin e Partisë Demokratike (PDK) dhe me ndihmën e LVV-së për plotësim-ndryshimin e rregullores së re për mbeturina. Në të thuhet se arkëtimi i faturave për qytetarët e Prishtinës bëhet nga kompania “Pastrimi” dhe jo nga Komuna e Prishtinës.
Rregulloren e ndryshuar e pati aprovuar edhe Ministria e Mjedisit, e cila ka konsideruar se ajo është në harmoni me Ligjin për mbeturinat. Por këtë ndryshim drejtues të Komunës së Prishtinës e patën dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila ende nuk ka dalë me ndonjë vendim.