Arbëri

Qytetarët në hall, qendra e Malishevës është kthyer në “kantier punimesh”

Si pasojë e punimeve disamujore në ndërtimin e parkingut nëntokësor, qytetarët e Malishevës ankohen se po përballen me telashe të shumta me komunikacionin, operimin e bizneseve dhe me sasi të madhe të pluhurit. Ata kanë edhe mungesë të furnizimit me rrymë dhe me ujë. Me gjithë ankesat, në komunë thanë se për ndërtimin e parkingut nuk ka tjetër alternativë. E për reduktimet e rrymës premtuan se do të zbuten nga kjo javë

Si në gjendje emergjence e kanë përshkruar banorët funksionimin në qytetin e Malishevës, në qendër të së cilës prej muajsh po zhvillohen punimet për ndërtimin e parkingut nëntokësor. 

Ata janë ankuar se që atëherë pluhuri, zhurma, kundërmimi i ujërave të zeza, rrezikimi nga shembjet e dheut, bllokimi i qarkullimit për vetura dhe pengimi i operimit të bizneseve janë bërë dukuri të përditshme.

“Edhe rrugët janë bllokuar, kanalizimet janë bllokuar, çdo ditë kemi ndërprerje të ujësjellësit, lokalet janë të rrezikuara domethënë kemi problem për çdo ditë... Tash vijnë kurbetçarët, Malisheva është për momentin e bllokuar”, ka thënë qytetari Amrush Hoti.

Sipas qytetarëve, ata përballen edhe me mungesa të shpeshta të ujit dhe të furnizimit me rrymë.

“Ka pluhur, pa rrymë, gjithandej nuk ke kah sillesh, as në këmbë as me kerre, rrugët janë të dëmtuara në të gjitha anët... Kemi probleme me ujë, me rrymë, me kanalizime që janë gjërat më elementare që ka nevojë. Nuk jam kundër punimeve që janë të nevojshme, por nëse nuk është uji, rryma kanalizimi”, ka theksuar qytetari Hajdin Berisha.

E kritika ndaj qeverisjes komunale për keqplanifikim dhe për zvarritje të punimeve kanë shprehur edhe në opozitë. 

“Shihni rrezikun e këtyre objekteve, nuk e kanë menduar që rrezikohen objektet. Shihni lokalet këtu afër, janë rrezikuar edhe me shembje... Me tempon çfarë janë duke punuar, i shohim çdo ditë i kemi dy tre punëtorë sikur të jenë duke punuar në ndonjë shtëpi private. Nuk ka as pjesë të stafit, makineri që të punohet në mënyrë që të zhbllokohet gjendja brenda qytetit”, ka deklaruar Mevludin Mazreku, kryetar i degës së PDK-së në Malishevë.

Zëdhënësi i Komunës së Malishevës, Valmir Gashi, ka thënë se është në dijeni për hallet e banorëve, por ka shtuar se ndërtimi i parkingut nuk ka alternativë. 

“Është e pashmangshme që punimet në këtë projekt kanë krijuar edhe vështirësi në komunikacion, edhe te bizneset të cilat operojnë përskaj rrugëve që preken nga ky projekt. Është e kuptueshme që disa biznese janë prekur më shumë për arsye se punimet janë në afërsi të tyre, mirëpo implementimi i këtij projekti nuk ka ndonjë alternativë tjetër me vazhdu me planifikimet e veta konform planeve që ka”, është shprehur Gashi. 

Teksa ka folur për mungesën e shpeshtë të rrymës, ai ka thënë se është problem qendror me të cilin Malisheva përballet në tre vjetët e fundit. E për mungesën e ujit, ai është shprehur se është pasojë e reduktimeve të energjisë, që, sipas tij, nga kjo javë do të jenë vetëm të martave.

“Në komunën tonë kemi pasur punime ditore një ditë po një ditë jo dhe në momentin kur kemi pasur reduktime të energjisë elektrike detyrimisht edhe pompat e ujit pastaj kanë dalë prej funksioni”, ka thënë ai.

Projekti 8.1-milionësh për parkingun nëntokësor në Malishevë, i financuar nga Komuna, synohet të përmbyllet qershorin e ardhshëm, disa muaj para kohës së planifikuar.