Parku i Gërmisë në orët e pasdites duket plot me mushkonja, mirëpo gjendja nuk ndryshon as në pjesët e tjera të Prishtinës.
Mushkonjat janë ato, të cilat e vështirësojnë qëndrimin në këtë park.
Kjo, për shkak se Komuna nuk e ka bërë ende dezinsektimin e hapësirave në kryeqytet.
Në muajin prill Komuna kishte dalë me thirrje, ku fitues doli “Vector Clean” .
Një muaj më vonë u anulua tenderi dhe procedurat e prokurimit nisën nga e para.
“Komuna e Prishtinës më datë 8.3.2024 ka iniciuar aktivitetin e prokurimit me titull “34 - Dezinsektimi hapësinor në Komunën e Prishtinës” me nr. të prokurimit 616-24-2103-2-1-1. Megjithatë, ky aktivitet i prokurimit është anuluar qysh në fazën e dorëzimit të ofertave (pra para hapjes së ofertave) sipas udhëzimit të KRPP-së, për shkak të një gabimi në sistemin eprokurimi. Vlen të theksohet po ashtu se ndaj vendimit për anulim është parashtruar edhe një ankesë në OSHP, mirëpo deri më sot ende nuk kemi pranuar asnjë vendim nga OSHP-ja lidhur me këtë ankesë. Sidoqoftë, Komuna e Prishtinës duke u bazuar edhe në udhëzimin e KRPP-së, më datë 29.4.2024, ka iniciuar sërish aktivitetin e prokurimit me titull “34-Dezinsektimi hapësinor në Komunën e Prishtinës – ritender”, me nr. të prokurimit 616-24-4214-2-1-1. Aktualisht jemi në pritje të raportit mbi ekzaminimin, krahasimin dhe vlerësimin e ofertave nga komisioni rivlerësues”.
E drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku, thotë se telashet tenderuese kanë përfunduar dhe se të hënën do të fillojë dezinsektimi.
Dezinsektimi është i ndarë në 6 faza dhe e para nis të hënën, e cila zgjat 6 ditë, ku janë 6 mijë e 800 hektarë të përfshirë. Secila fazë ka nga 10 ditë pauzë dhe si proces në tërësi përfundon në shtator.