Arbëri

Qytetarët në Ferizaj përballen me mungesë dhe reduktime të ujit

Rritja e temperaturave ka bërë që qytetarët e Ferizajt të përballen me mungesë dhe reduktime të ujit të pijshëm. Në kompaninë rajonale të ujësjellësit “Bifurkacioni” kanë thënë se reduktimet po aplikohen për shkak të konsumit të madh dhe humbjeve të ujit. Ata kanë apeluar te qytetarët që ta kursejnë ujin në mënyrë që të ketë furnizim të rregullt.

Qytetarët e Ferizajt gjatë ditëve të fundit po përballen me reduktime të shpeshta të ujit të pijshëm.

Me gjendje më të mirë po qëndrojnë banorët e Kaçanikut dhe të Hanit të Elezit, edhe pse furnizohen nga kompania rajonale e ujësjellësit “Bifurkacioni”.

Qytetarët e Ferizajt po kërkojnë që uji të mos të ndërpritet derisa janë taksapagues të rregullt.

“Prej disa ditësh, deri në orën nëntë apo dhjetë nuk kemi ujë. Pra, shumë keq jemi për ujë, i pyeta në kompani dikë dhe më thanë se në fshatin Nerodime derisa të pastrohet rrjedha e ujit, por nuk kemi ujë të mjaftueshëm dhe nuk e dimë se çfarë ka”, ka thënë qytetari Mustafë Hashani.

“Ne mendojmë se shi ka ra mjaftueshëm dhe ka ujë të mjaftueshëm, ndoshta janë bërë të ndotura ujërat për shkak të shiut, andaj ne nuk kemi ujë as dje dhe as sot dhe thonë se 3 ditë derisa ta pastrojnë ujin do të ketë mungesë. Apel ju bëj që të kemi sa më shumë ujë dhe mos ta shpenzojmë pa nevojë”, ka thënë qytetari, Avdyl Ahmeti.

“Reduktimet i kemi vërejtur dhe jemi duke u ballafaquar me reduktime të ujësjellësit, meqë është koha që më së shumti na nevojitet uji për pastrim dhe freskim shkaku i temperaturave të larta, u kisha bërë kërkesë organeve të ujësjellësit mundësisht të na e lehtësojë jetën me furnizim të ujit”, ka thënë qytetari, Ekrem Bibaj.

Në kompaninë rajonale të ujësjellësit “Bifurkacioni” kanë thënë se kanë nisur të aplikojnë reduktime të herëpashershme gjatë orëve të natës shkaku i konsumimit të madh dhe humbjeve të ujit.

“Reduktimet për zonën e qytetit historikisht dihet se Ferizaj i aplikon prej orës 11:30 në mbrëmje deri në ora 4:30 të mëngjesit. Arsyeja pse aplikohen këto është se duhet të bëhet akumulimi i ujit në rezervar dhe pastaj të bëhet furnizimi për qytetin. Nëse ne nuk bëjmë reduktime atëherë shumë pjesë të qytetit mbesin pa ujë, andaj kjo do të vazhdojë deri në gjetjen e një zgjidhjeje tjetër me rritjen e kapaciteteve të trajtimit të ujit të pijshëm në Pleshinë”, ka thënë drejtori i KRU “Bifurkacioni”, Jeton Shabani.

Drejtori Shabani ka apeluar te qytetarët që ta kursejnë ujin në mënyrë që të ketë furnizim të rregullt.