Arbëri

Qytetarët në Ferizaj kundërshtojnë disa emërtime të rrugëve

Qytetarët në Ferizaj vazhdojnë t’i kundërshtojnë emërtimet e rrugëve në disa lagje, projekt i cili është realizuar në vitin 2014. Në disa lagje banorët nuk pajtohen me mbishkrime të emrave serbë dhe ata të cilët kanë thënë se nuk kanë ndonjë histori për dhënien e ndonjë kontributi për vendin.

Rreth emërtimeve të reja prej vitesh kanë punuar komisione të ndryshme në komunë, por deri më tash nuk i kanë shqyrtuar të gjitha kërkesat e qytetarëve.

Sipas qytetarëve disa emërtime duhet të largohen menjëherë nga rrugët e “sidomos në ato lagje ku jetojnë veteranë dhe invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Përveç kësaj banorët kanë kërkuar që të largohen edhe tabelat si rruga e “Varrezave” pastaj mbishkrimet me emrin “Boshko Buho”, pastaj “Bashko Qakiq” e të tjera.

Edmond Salihu, banor në afërsi të lagjes “Boshko Buho”, ka thënë se ky mbishkrim duhet të largohet me gjithë kërkesat e vazhdueshme të qytetarëve. “Kjo rrugicë me emrin ‘Boshko Buha’ është një rrugën ‘Ejup Statovci’ në qytetin e Ferizjt, andaj nuk e di se si pushtetarëve nuk iu pengon ky emër, i cili person ka qenë mercenar i cili është paguar për të vrarë shqiptar, kurse ne e nderojmë me emër të kësaj rrugice. Pra është shqetësuese për të gjithë”, është ankuar Salihu.

Po ashtu edhe Granit Ahmeti, banor nga Ferizaj, ka përmendur edhe një tjetër emërtim për të cilin ka kërkuar të largohet.

“Ne nuk e njohim si emërtim, ‘Bashko Qakiq’, por nëpër dokumente po figuron kështu. Është shumë shqetësuese për të gjithë sepse kemi mjaft shumë dëshmorë e personalitete të cilët kanë dhënë kontribut për vendin në fusha të ndryshme, pastaj kemi personalitete që kanë dhënë kontribut në fushën e kulturës, artit, muzikës, sportit e shumë fusha të tjera për vendin, prandaj komuna duhet t’i trajtojë kërkesat tona dhe t’i largojë këto mbishkrime të panjohura dhe të dëmshme e të rrezikshme për qytetarët dhe fëmijët”, ka thënë ai.

Kryetari i Komisionit për riemërtimin e emrave në Komunën e Ferizajt, Faik Selmani, ka thënë se regjistri i përgjithshëm në lidhje me emërtimin e rrugëve dhe shesheve, në vitin 2019 është dorëzuar nga komisioni i emërtimit të rrugëve, ku dhe është aprovuar nga asamblistët e Kuvendit Komunal të Ferizajt.

“Në këtë regjistër janë bashkangjitur edhe emërtimet e mëhershme, ri-emërtimet si dhe emërtimet e reja. Regjistri që është aprovuar nga K.K.F, është duke i përpunuar të dhënat në sistemin e brendshëm dhe së shpejti do të vendosen edhe me daljen në teren! Ndërsa ne lidhje me ankesa të më hershme, për disa emërtime ju njoftoj se nuk janë akoma në regjistrin e fundit të emërtimit të rrugëve, ku së shpejti këto ndryshime do të bëhen edhe në teren, për këtë jemi duke punuar vazhdimisht”, ka theksuar Selmani.

Ndërkohë, drejtori për Shërbime Publike në këtë komunë, Arben Halili, nëpërmjet telefonit nuk ka dashur të komentojë lidhur me këtë çështje me arsyetimin se zyrtarët e kësaj drejtorie kanë qenë vetëm implementues të projektit për emërtime të reja. “Emërtimet e vjetra nuk mund të ndryshohen sepse ato janë miratuar një herë në Kuvend. Komisioni ka pranuar kërkesat dhe ankesa të qytetarëve ndërkohë janë duke i shqyrtuar ato”, ka thënë Halili.