Gjatë muajve të fundit është vështirësuar qarkullimi i qytetarëve në disa rrugë të qytetit të Ferizajt shkaku i gropave të cilat nuk po mbyllen.
Shpeshherë në këto rrugë realizohen edhe punime nga kompanitë e ndryshme për riparime të kanalizimeve apo ujësjellësit, por ato nuk kthehen në gjendjen e mëparshme. Me gjendje më të rëndë nga gropat po përballen banorët e rrugës kryesore “Enver Topalli” pastaj edhe ata në rrugën “Ahmet Kaçiku”, “Dëshmorët e Kombit”, “Gursel e Bajram Sylejmani”, “Rexhep Bislimi”.
Në komunë kanë thënë se gradualisht do të riparohen shumica e rrugëve në qytet pasi që me vonesë kanë kontraktuar një operator ekonomik.
Edmond Salihu, banor në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj, ka thënë se gropat po e vështirësojnë qarkullimin, ndërkohë askush nuk po i riparon ato.
“Gropat në rrugë prej më shumë se dy muaj nuk po riparohen ani pse në disa vende nevojiten shumë pak material për ta zgjidhur punën e qarkullimit. Mendoj se zyrtarët komunal duhet të dalin më shpesh në terren për ta parë gjendjen sepse për qytetarët që kalojmë çdo ditë nëpër këto rrugë është shumë shqetësuese. Shkaku i gropave po dëmtohen edhe veturat, prandaj është shqetësuese në mes të qytetit të kemi gropa të tilla”, është ankuar ai.
Ndërkaq, edhe Shkëlzem Ademi, banor në afërsi të rrugës kryesore “Ahmet Kaçiku”, ka thënë se rrugët lokale po degradohen brenda një periudhe të shkurtër si pasojë e cilësisë së dobët të punimeve “sa për sy e faqe”.
“Është shumë shqetësuese se si brenda një të ardhme të afërt rrugët e asfaltuara po degradohen, ndërkohë ato nuk po mirëmbahen nga askush. Gjithashtu edhe rrugët kryesore të qytetit duhet të mirëmbahen me kohë sepse gropat e mëdha po e vështirësojnë qarkullimin. Kemi raste kur edhe kompanitë për riparime të ujit apo kanalizimit e dëmtojnë asfaltin dhe nuk e rikthejnë më, pastaj kemi prerje të asfaltit edhe nga individët privat për punët të tyre private të kyçeve në ujë apo kanalizim e të tjera. Të gjitha këto duhet të mbikëqyren nga institucionet përkatëse”, ka thënë Ademi.
Ndërkaq, në anën tjetër Arben Halili, drejtor për Shërbime Publike në komunën e Ferizajt ka thënë se tashmë kanë kontraktuar me vonesë një operator ekonomik i cili po e bën riparimin e gropave gradualisht sipas kërkesave të qytetarëve.
“Së shpejti do të riparohen këto gropa dhe po besoj se brenda muajit tetor nuk do të ketë shqetësime të tilla. Kemi raste kur edhe kompania e Ujësjellësit kryen punime dhe derisa të vërtetohet a ka përsëritje të rrjedhjes së ujit dhe derisa të rregullohet baza e dheut mund të vonohet pjesa e fundit e asfaltit. Por sidoqoftë ne jemi në kontakt me ujësjellësin për t’i kryer disa pagesa për riparimin e këtyre gropave që janë bërë në qytet. Po ashtu do të riparohen edhe gropat tjera por sipas radhës”, ka thënë Halili.
