Ekipet mobile për vaksinim kundër COVID-19, këtë të premte janë vendosur në hapësirat e Xhamisë së Madhe në kryeqytet. Qytetarët e mirëpritën këtë, duke apeluar te të gjithë të vaksinohen.
“Ne si besimtarë jemi të obliguar që të mbrohemi nga ajo, që të vaksinohemi dhe të largojmë një të keqe”.
Ky mesazh i ka paraprirë nisjes së procesit të vaksinimit në xhaminë e madhe në Prishtinë.
Besimtarët myslimanë, të cilët shkuan mesditën e së premtes për ta falur xhumanë, e kanë pasur mundësinë që të vaksinohen kundër koronavirusit.
Ani se u pa interesim i ulët, megjithatë ka pasur të tillë që janë interesuar për t’u vaksinuar.
“Mirë ide e mirë, e vlerësoj se është e zgjidhshme me ardhë me marrë vaksinën. Secili person e ka obligim me ardhë me marrë vaksinën”, ka thënë Egzon Daka, qytetar.
Edhe qytetarët e tjerë, të cilët ishin vaksinuar më herët, e mirëpritën këtë iniciativë.
“E vlerësojmë se është më mirë, për ma mirë duhet me i marrë”, u shpreh qytetari tjetër Veton Qunaku.
“Ma mirë o me i marrë, qashtu po thojnë krejt bota, më mirë qysh jo me hek gajlen, kjo është për të mirën tonë”, deklaroi Hazir Durmishi, qytetar.
Imami i kësaj xhamie, Burhan Hashani, u ka bërë thirrje besimtarëve që të vaksinohen, derisa ka thënë se janë të gatshëm të ndihmojnë.
“Neve jemi të gatshëm dhe ju ofrojmë ambient për t’u bërë vaksinimi dhe ne do të shohim se si do të shkojë puna, nëse do të ketë kërkesa ne do ta bëjmë edhe në xhami të tjera”, potencoi Burhan Hasani nga BIK-u.
Ai tregoi se edhe javën e kaluar, besimtarëve u është treguar rëndësia e vaksinimit dhe e shëndetit kolektiv.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se po synon rritjen e numrit të të vaksinuarve dhe se nga dita e shtunë nëpërmjet ekipeve mobile do të fillojë vaksinimi edhe në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.