Arbëri

Qytetarët: Mirëpresim ndryshimet, koha për PDK-në në opozitë

Pas dhjetë vjetëve në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës ka humbur betejën me dy partitë e tjera deri tani opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

E ky ndryshim, fitorja e një partie tjetër, Vetëvendosjes, që pritet të qeverisë me vendin, po konsiderohet nga qytetarët si kthesë historike dhe një mrekulli për shtetin e Kosovës, raporton KTV.

E, një pjesë tjetër të qytetarëve i ka gëzuar mjaft shumë rezultati i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilët thonë se ishte koha që PDK-ja ta humbte pushtetin.

Ata, Albin Kurtin, kandidatin për kryeministër, po e quajnë shpëtimtar, i cili sipas tyre Kosovën do ta nxjerrë nga humnera, ku e ka futur qeverisja e kaluar.

Sipas tyre, Kosova ka nevojë për reforma në secilin sektor.

Por, prioritet i udhëheqjes së re, ata thonë se duhet të jetë punësimi i të rinjve dhe moslargimi i tyre për në vendet perëndimore.

Ka edhe qytetarët të tjerë, të cilët nuk presin se do të ketë ndryshime të mëdha, megjithatë sipas tyre, pritet të shihet se çka do të bëjë qeverisja e re.

Sa i përket koalicioneve paszgjedhore, qytetarët thonë se Vetëvendosje duhet të bëhet bashkë me LDK-në, e assesi me partitë e tjera.