Arbëri

Qytetarët kërkojnë që Policia të monitorojë shpejtësinë e automjeteve në rrugën "Adem Jashari" në Shtime

Banorët e Shtimes prej disa vjetësh po kërkojnë nga institucionet komunale dhe ato të sigurisë që t'i trajtojnë kërkesat dhe peticionet e tyre për të vendosur barriera në rrugën kryesore "Adem Jashari" dhe të monitorohet ky aks i rrugës nga Policia, shkaku i shpejtësisë së madhe që zhvillohet nga vozitësit. Banorët edhe gjatë së hënës kanë ftuar Policinë e Kosovës që të dalin në rrugë pasi që vozitësit me zhvillim të shpejtësisë së lartë po ua rrezikojnë jetën atyre e sidomos fëmijëve.

Sipas banorëve që nga paslufta tre fëmijë kanë humbur jetën në këtë aks rrugor shkaku i shpejtësisë së madhe që zhvillohet brenda vendbanimit.

Në Policinë e Kosovës kanë thënë se i kuptojnë shqetësimet e banorëve, andaj do të ketë patrulla të policisë sa më shumë, megjithëse herë pas here policia janë prezent në këtë rrugë.

Skender Gashi, përfaqësues i lagjes "Adem Jashari" në Shtime, ka thënë se ka njoftuar se disa herë personalisht i ka thirrur Policinë për ta monitoruar këtë aks rrugor. "Kemi shumë ankesa nga qytetarët se vozitësit po zhvillojnë shpejtësi të lartë me vetura dhe po rrezikojnë të gjithë banorët, andaj në të kaluarën kemi adresuar edhe peticione në komunë për vendosjen e disa barrierave", ka thënë Gashi. Ai ka sqaruar se disa barriera janë vendosura në hyrje të qytezës por nuk mjaftojnë , ndërkaq bën me dije se vetë prezenca e policisë në rrugë e parandalon rrezikun e qytetarëve.

Policia e Kosovës në Ferizaj nëpërmjet një përgjigje me shkrim ka sqaruar se kuptojnë shqetësimin e qytetarëve në Shtime në aspektin e sigurisë në komunikacionin rrugor. "Rrugën Shtime-Lipjan deri në zonën e përgjegjësisë deri në fshatin Davidovc e menaxhon stacioni i policisë në Shtime dhe në baza ditore angazhon patrulla lëvizëse dhe statike me pika kontrolli për kontrollimin e shpejtësisë në atë zonë, por dhe në zona tjera. Veç policëve të stacionit në Shtime , për kontrollimin e komunikacionit po ashtu në baza ditore , 24 orë , 7 ditë në javë an gazohen edhe ekipe të policisë së komunikacionit rrugor nga Njësia Rajonale e Trafikut", thuhet në përgjigjen e Policisë.

Policia ka ftuar qytetarët për bashkëpunim, sa herë që kanë informata për shoferët që shkelin rregullat e konunimacionit të thërrasin në numrin kujdestar 192 ose në aplikacionin digjital "Lajmëro policinë".