I ndërtuar në shekullin e 20-të, është njëri ndër krojet më të vjetra në Prishtinë.
Derisa është mbuluar me xhama e bari, çezma e vënë para teatrit Kombëtar të Kosovës, është vendosur të konservohet por jo edhe të jetë funksionale.
Po aq i vjetër është edhe shatërvani që ndodhet mes Xhamisë së Gurit dhe Muzeut të Kosovës.
Ai ka mbetur prapa rrethojave të vendosura për restaurim dhe ditëve të fundit, uji i tij nuk ka qenë i sigurt për pije.
E në ditët kur temperaturat kanë qenë afër 40 gradëve, freskimi nëpër kroje publike, sipas qytetarëve, është më se i nevojshëm.
Të shumtë kanë qenë ata që janë freskuar në dy krojet që gjenden në Sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë.
Por gjendja e këtyre dy krojeve, të vetmeve në sheshet e Prishtinës, nuk është edhe aq e mirë.
Njëra nga to është e rrethuar me baltë dhe sipas bizneseve përreth, është shkatërruar disa herë.
Faik Sefën, qytetarët e Prishtinës e njohin për mirëmbajtje të shtatores së Nënës Terezë. Por, 78-vjeçari që shet akullore pranë njërës prej çezmave publike, është kujdesur që këtë të fundit ta mbajë në funksion.
Thotë se për 1 muaj, uji ishte ndalur.
Por, në Komunën e Prishtinës thonë se kanë kontratë për mirëmbajtje të krojeve në qytet dhe se ato janë dëmtuar nga qytetarë dhe bizneset përreth tyre.
Habib Qorri, shef i Shërbimeve publike, ka thënë se njërës çezme i është vjedhur guri dhe se janë duke kërkuar të ngjashëm për ta rregulluar.
Ndërkohë që viteve të kaluara, Komuna e Prishtinës ekspozonte në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe atë “Skënderbeu”, ku nuk ka çezme publike, ekipe të zjarrfikësve të cilët ofronin ujë për qytetarët si dhe vetura të autoambulancës për të ofruar ndihmë për ata që kishin telashe me shëndetin nga temperaturat e larta.