03Vit i vështirë është cilësuar 2021-shi për qytetarët nga ndikimi i pandemisë.
Covid-19 nuk rrezikoi vetëm shëndetin, por edhe buxhetin e secilës familje.
Viti nisi me mundësi shtyrjeje të kredive për 3 muaj e që u shfrytëzua nga shumë qytetarë, të cilët megjithatë u desh të paguanin kamatën mujore.
Shtyrje pati edhe për tatim në pronë.
Në vitin që secili produkt pësoi rritje çmimi, të paguash të gjitha faturat sipas qytetarëve ishte e vështirë.
Kjo vërehet edhe nga vlera e borxheve që ata kanë ndaj kompanive të ndryshme.
Janë miliona euro borxhe të qytetarëve të Prishtinës që kanë ndaj ndërmarrjeve që ofrojnë shërbime të ndryshme.
19 milionë euro është borxhi i prishtinasve që i detyrohen kompanisë së “Pastrimit”. Ky është borxh i mbledhur ndër vite ngase borxhin e këtij viti për fatura mbeturinash duhet paguar te Komuna e Prishtinës.
Nga kjo kompani thonë se ky borxh është i lartë.
“Deri në periudhën 31 nëntor të vitit 2021 borxhi i klientëve në territorin e Prishtinës dhe gjithë klientët që ne i përfshijmë në këtë komunë, është 12 milionë 56 mijë e 500 euro e që është një borxh shumë i madh. Prandaj përmes mediave ju bëj thirrje qytet6arëve që të vijnë në kompaninë tonë që të kryejnë obligimin e tyre dhe gjithashtu kanë edhe mundësinë të bëjnë marrëveshje që 20 për qind të borxhit ta bëjnë pagesë dhe pjesën tjetër të mbetur ta bëjnë me këste në mënyrë që të mos i dërgojmë tek përmbaruesit privat”, ka deklaruar Arbnora Ademi, zëdhënëse e kompanisë “Pastrimi”.
Janë 30 mijë banorë të cilët nuk kanë paguar asnjë faturë vetëm gjatë vitit 2021 në ujësjellësin rajonal “Prishtina”, ku borxhi arrin vlerën 1.2 milionë euro.
Kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Sokol Xhafa, paralajmëron se do të dërgohen në përmbarim gjatë muajit janar.
“Vetëm gjatë vitit 2021, borxhi ofrohet tek 2 milionë euro, borxh që akumulohet vetëm brenda për brenda këtij viti, për këtë shkak janë organizuar drejtoria për dërgimin e lëndëve tek përmbaruesi sepse për fat të keq përkundër që kemi bërë thirrje nuk kanë reaguar qytetarët. Ndërsa sa i përket borxhit nga pas lufta është mbi 45 milionë euro, borxh i akumuluar ndaj ndërmarrjes së ujësjellësit. Sipas analizave të fundit janë përafërsisht 30 mijë konsumatorë që gjatë këtij viti nuk kanë paguar asnjë faturë të ujit. Të gjithë pa përjashtim do të dërgohen në përmbarim në pjesën e parë të janarit. Përsëri po bëjmë thirrje telefonike”, ka deklaruar Sokol Xhafa, kryeshef ekzekutiv “KRU Prishtina”.
Ujësjellësi vazhdon të ofrojë mundësinë e riprogramimit të borxhit.
“Vitin që shkojë kishte dallim të jashtëzakonshëm sepse ranë menjëherë pagesat, sidomos në prill dhe maj kemi pasur rënie drastike të pagesave dhe duke i mirëkuptuar gjithmonë klientët tanë, ne i lehtësuam riprogramimin e borxheve pagesat e borxheve të aprovuar, nga 30 për qind në 10 për qind në amvisëri ndërsa për biznese nga 50 për qind në 20”, ka shtuar Xhafa.
Ngrohja është tema kryesore e dimrit në kryeqytet. Përderisa qytetarët kërkojnë të kenë ngrohje gjatë gjithë kohës, janë vetë ata që nuk po ia dalin t’i paguajnë faturat.
Mbi 15 mijë konsumatorë i detyrohen “Termokosit” me 18 milionë euro që nga paslufta.
Ndërsa vetëm për vitin 2021 vlera e borxhit arrin 2 milionë euro.