Qytetarët në Lipjan po vazhdojnë të përballen me kundërmim nga rrjeti i ujërave të zeza.
Ndonëse disa vjet më parë Komuna e Lipjanit dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor patën nisur një projekt për ndërtimin e kolektorit për trajtimin e ujërave të zeza të qytetit, sipas qytetarëve ky projekt nuk ka treguar efekte të mëdha.
Në Komunë kanë thënë se janë duke pritur investime nga niveli qendror për ndërtimin e kolektorit të madh në të cilën përfshihen pesë komuna.
Në Lipjan qytetarët kanë thënë se shtegu i ecjes përgjatë shtratit të lumit Sitnica po shfrytëzohet pak nga qytetarët shkaku i kundërmimit të ujërave të zeza.
Ndërkohë me kundërmime të mëdha po përballen edhe qytetarët dhe bizneset në dalje të Lipjanit në drejtim të Prishtinës.
Qytetari Lulëzim Zejnullahu, ka thënë se Komuna duhet të bëjë investime më së shumti në rrjetin e kanalizimit, pasi që sipas tij, shkaku i kundërmimit është vështirësuar jetesa në qendër të qytetit dhe në disa lagje. “Sidomos gjatë zezonës së verës nuk mund t’i hapim as dritaret e as të dalim në terasë sepse po thuajse pjesa më e madhe e qytetit është e ndotur nga një kundërmim i rrjetit të kanalizimit. Pastaj kundërmime të mëdha ka edhe te shtegu i ecjes përgjatë lumit Sitnica, andaj sado që ka gjelbërim e hapësirë të mirë ne prapë nuk po mund ta shijojmë e gjithë atë investim të shtegut të ecjes. Kërkojmë nga komuna të bën zgjidhje për trajtimin e ujërave të zeza sepse kundërmimi është i madh edhe gjatë mbrëmjes”, ka theksuar Zejnullahu.
Arsim Jashari, shef i grupit të asamblistëve nga radhët e PDK-së, ka thënë se një pjesë e ujërave të zeza derdhen në lumin Sitnica, megjithëse sipas tij janë bërë disa investime për pastrimin e tyre. “Me ujëra të zeza Lipjani vazhdon të qëndrojë mjaftë keq pasi që rrjetet e kanalizimit nuk janë vendosur sipas thellësisë së standardeve, andaj ka raste që ujërat e zeza dalin mbi sipërfaqen e tokës. Shkaku i punimeve të dobëta kemi edhe kundërmime në qytet, edhe në fshatra. Ne si kuvendarë vazhdimisht pranojmë ankesa nga qytetarët lidhur me këtë çështje, prandaj komuna duhet të angazhohet për të bërë investime në zgjidhjen e këtij problemi”, ka thënë Jashari.
Ndërkaq, në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal, kryetari i komunës Imri Ahmeti, gjatë prezantimit për ndarjen e buxhetit, ka thënë se i di të gjitha hallet e qytetarëve, por shpeshherë rrjetet e kanalizimeve dhe të ujësjellësit janë projektet më të kushtueshme dhe të papërballueshme për buxhetin e Komunës. ”Ne i shohim nevojat reale që shënojnë progres në infrastrukturën e përgjithshme. Unë pajtohem që kanalizimi dhe ujësjellësi janë ndër probleme të mëdha dhe të kushtueshme, ndonëse me kanalizim janë zgjidhur mjaftë shumë problemet por na mungojnë impiantet, por jemi në një periudhë që kemi pritur të kryhet impianti i madh i pesë komunave te Obiliqi e në të cilin jemi edhe ne pjesëmarrës si komunë. Por, tash jemi nën sanksione dhe duhet të presim”, ka thënë Ahmeti.