Drejtuesit e Kuvendit Komunal në Ferizaj kanë organizuar një debat me qytetarë për të debatuar rreth hartimit të projektbuxhetit për vitin 2024, në të cilën qytetarët kërkuan një varg projektesh në lokalitete të ndryshme me qëllim që ato të futen si prioritet për të ardhmen e afërt. Ndërkohë, buxheti i vitit 2024 pritet të miratohet në Kuvendin e Komunës në fund të këtij muaji. Kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Xhavit Zariqi, bashkë me anëtarët e KPF-së dhe drejtoreshën e financave, Sebahate Ajeti-Sadiku, kanë njoftuar se ky debat ka për qëllim t’i dëgjojë kërkesat e qytetarëve lidhur me projektet kapitale. Kryesuesi Zariqi ka thënë se organizimi i këtij konsultimi është edhe obligim ligjor.
“Pas dorëzimit të buxhetit nga ana e ekzekutivit të komunës e kemi pasur obligim që ta mbajmë këtë debat dhe kërkesat e qytetarëve të inkorporohen apo të futen në projektbuxhetin e vitit 2024”, ka thënë midis të tjerash Zariqi. Ndërsa drejtorja e Financave, Sebahate Ajeti-Sadiku, ka thënë se buxheti për vitin 2024 në total është i planifikuar të shpenzohet në vlerë prej 41 milionë e 184 mijë e 14 euro. “Ndërsa në kategorinë paga dhe mëditja janë paraparë 20,332,804.00 euro, në kategorinë mallra dhe shërbime 8,000,000.00, shpenzime komunale 564,014.00, subvencione 950,000.00 euro, si dhe shpenzimet kapitale 11,337,169.00”, ka njoftuar Sadiku. Sipas saj, vlera e investimeve kapitale është më e vogla që nga viti 2017, por pavarësisht kësaj në buxhetin e vitit të ardhshëm janë përfshirë edhe një numër i konsiderueshëm i projekteve me shumë rëndësi për Komunën e Ferizajt.
Rexhep Maloku, menaxher i projekteve në organizatën INPO, ka thënë se qytetarët po kërkojnë më shumë projekte në infrastrukturë rrugore, kanalizim, ujësjellës, ndriçim e të tjera.
“Në fakt, mungesa e pjesëmarrjes së qytetarëve në numër të madh dëshmon se ka mungesë të besueshmërisë në institucione dhe se janë të zhgënjyer meqë nuk u janë marrë parasysh kërkesat. Për më tepër që draftbuxheti nuk është publikuar ende në uebfaqe. Dëgjimet publike janë reduktuar në sallën e Kuvendit Komunal, megjithëse është obligim i komunës të organizojë debate të tilla edhe në lagje e fshatra që të jetë sa më afër banorëve. Por, kjo tregon se nuk i marrin seriozisht qytetarët dhe nuk lodhen as për procedurat ligjore meqë e kanë makinerinë e votës në kuvend”, ka kritikuar Maloku.
Xhevat Sallahu, përfaqësues i fshatit Zllatar, ka thënë se Komuna duhet ta përshpejtojë finalizimin e ujësjellësit në fshat pasi që banorët po e vuajnë mungesën e ujit tash e shumë vjet.
“Fabrika e ujit në Talinoc është finalizuar ndërkohë tash e disa vjet, por rrjeti i ujësjellësit në fshatin tonë ende nuk ka përfunduar, prandaj kërkojmë ky projekt të finalizohet sa më shpejtë, sepse jemi në hall për mungesë të ujit të pijshëm. Po ashtu banorët e fshatit kanë nevojë edhe për riparim të ndriçimit publik dhe riparim të rrjetit të kanalizimit, pastaj riparim të rrugëve e të tjera projekte për të cilat kemi adresuar edhe kërkesa zyrtare në komunë”, ka kërkuar Sallahu.