Arbëri

Qytetarët ankohen se Ujësjellësi e ka prishur rrugën “Qemal Stafa” në kryeqytet

Para një viti filluan e as tash nuk kanë përfunduar problemet për banorët e rrugës “Qemal Stafa” në kryeqytet.

Ata fillimisht kundërshtuan prerjen e asfaltit për futjen e gypave të Ujësjellësit.

Megjithatë, prerja e tij ndodhi, ndërsa atyre iu premtua se rruga do të kthehej në gjendjen e mëparshme.

Më vonë, disa herë u ankuan për vonesa në punime.

Ndërsa tani, edhe pas riasfaltimit, thonë se rruga nuk është kthyer në gjendjen e mëparshme, e po ashtu si shkak i punimeve, ka edhe rrjedhje të kanalizimit.

Sipas tyre, rrjedhja ka prekur edhe kanalin e hapur të Ibër-Lepencit, që kalon pranë shtëpive të tyre.

Ndërsa shtojnë se me rritjen e temperaturave, kundërmimi nga kanali është bërë i padurueshëm.

Ata kërkojnë nga ujësjellësi që sa më shpejtë të intervenojë në rrugë dhe në pastrimin e kanalit.

Në Ujësjellësin Rajonal “Prishtina” thonë se punimet nuk kanë përfunduar ende dhe se ato pritet të përfundojnë pas gjysmës së dytë të prillit.

Zgjidhje premtojnë edhe për kanalin, të cilin thonë se e kanë pastruar dy herë dhe se për pastrimin e radhës janë duke biseduar me zyrtarët e Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”.