Shtëpia e Lumturie Gjoshit rrezikohet sa herë ka vërshime në Prishtinë. Por nga reshjet e së dielës mbrëma, asaj i është futur uji në katin e parë të shtëpisë.
Thotë se lajmëroi ekipet e emergjencave, por derisa mbërritën ato, uji shkaktoi dëme të mëdha në shtëpinë e saj dhe në shumë të tjera në lagjen “Emshir”.
“Ka qenë e tmerrshme nata e mbrëmshme dhe e sotshme. Që 24 orë jemi pa honger pa pi, pa flejt e pa rrymë”, ka deklaruar Gjoshi.
Ajo tha se është ankuar shumë herë në Komunën e Prishtinës për problemin, por nuk është bërë zgjidhje.
“Rregullisht që 25 vite ankohemi, vijn e qelin pak edhe kurgjo kerkujna. Na jemi ata që e pësojmë krejt lagja, era shum e randë, mbeturina, gjithçka. Është e papërballueshme edhe su met me jetu këtë vend”.
Dëme nga shiu i rrëmbyeshëm pati edhe në lagje të tjera. Një nga zjarrfikësit ka treguar për dëmet që janë shkaktuar në Rrugën C.
“Ky është kati i dyti podrum. Ktu posht jon kerret, tri automjete. Atje ke me lloq i pari. Zjarrëfiksat pe kryjnë punen e vet 5-6 raste, qa o ma e keqja prej ores 16:00 pritet vërshime, me marrë ujt apet”, ka shtuar ai.
Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, tha se thirrjet e qytetarëve për ndihmë ishin të mëdha. Po ashtu njoftoi për krijimin e shtabit të emergjencave.
“Në çdo lagje të qytetit jemi të gatshëm të intervenojmë”, ka thënë Fushtica.
Për situatën e krijuar nga të reshurat, të hënën konferencë mbajti kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Tha se problemi me vërshimet do të zgjidhet së shpejti.
“Kemi filluar investimet, ... problemi është se në këtë lagje nuk ka pasur investime”, ka deklaruar të hënën Rama.
Si pasojë e vërshimeve, shumë rrugë në kryeqytet ishin të pakalueshme të dielën mbrëma./Riad Latifi