Nga agimi i së shtunës, besimtarë myslimanë kanë nisur agjërimin në kuadër të muajit të Ramazanit. Shumë qytetarë janë ankuar se një sofër iftari u kushton shtrenjtë dhe se fillimi i muajit të solidarizimit ka bërë që çmimet për produkte bazë nëpër markete të shënojnë ulje veç simbolike.
Nisja e muajit të Ramazanit, gjatë të cilit besimtarë myslimanë abstenojnë nga konsumimi i ushqimit dhe i pijeve prej agimit e deri në perëndim të diellit, është përcjellë me shqetësimin e qytetarëve për çmime të larta.
Bazuar në kalkulimet që i bëri KOHA mbështetur në çmimet aktuale në treg, një sofër iftari e përbërë veç me produkte bazë, një familjeje mund t’i kushtojë deri në rreth 20 euro.
Tek e kualifikojnë këtë si kosto të lartë, qytetarë kanë shprehur pakënaqësi se me gjithë nisjen e muajit të solidarizimit, çmimet nëpër markete kanë shënuar veç ulje simbolike.
“Të shtrenjta tepër. Të shtrenjta boll po nuk ke çfarë të bësh. Rroga nuk ka por duhet me mbet gjallë, e nuk kemi çfarë të bëjmë. Kanë bërë zbritje 10 cent, kurgjë hiq”, ka thënë Vahide Lladrovci.
“Në qoftë se themi se jemi solidar edhe jemi fetar, sipas fesë do të duhej të ketë ulje të çmimeve në këtë muaj të Ramazanit, ose muaji i rahmetit, po tash këta nuk janë tu bo”, ka thënë një tjetër qytetar.
E kryetari i shoqatës së konsumatorëve, Selatin Kaçaniku, nuk e ndërlidh këtë ulje të lehtë të çmimeve me Ramazanin. Ai thotë se ndikim në këtë ka më shumë presioni që e përbën për marketet bojkoti i ndërmarrë së fundi kundër rritjes së çmimeve.
“Nëse mund ta marrim si xixë në errësirë, maketet janë në presion të bojkotit dhe ky bojkot po i detyron edhe të bëjnë edhe zbritje që janë të shumta por jo të gjitha janë realisht të zbritura. Gjithmonë është një çmim realisht i zbritur dhe një artikull tjetër me çmim realisht të manipuluar”, ka thënë Kaçaniku.
E ai kërkon veprim për ta shmangur manipulimin me çmime.
“Shumica e çmimeve janë të manipuluara, të ponderuara, janë të fryra nuk janë çmimeve reale dhe unë bëj seri, jam kureshtar të di nëse kemi ne inspeksion financiar ose fiskal ose nuk kemi? Unë gjithmonë pyetem se, inspeksionet i shërbejnë qeverisë ose i shërbejnë ekonomisë, i shërbejnë tregut, apo i shërbejnë qytetarit, konsumator i cili është taksapagues”, ka thënë ai.
Kosova në mes të shkurtit iu pat bashkuar fushatës së nisur në Kroaci për t’i bojkotuar marketet që abuzojnë me çmimet. Iniciativa është mbështetur gjerësisht në Kosovë, porse jo shumë është aplikuar në praktikë.