Arbëri

Qytetarët ankohen për vështirësitë për t’u qasur në rrugë pas daljes nga parkingu nëntokësor

Për funksionalitetin e Parkingut Nëntokësor në qendër të Prishtinës, ankesat e qytetarëve janë të mëdha. Ata thonë se e kanë gati të pamundur të qasen në rrugë pas daljes nga hyrja e vetme e parkingut, pasi tjetra është bllokuar me vendim të Komunës

Shfrytëzuesit e parkingut nëntokësor në qendër të Prishtinës ankohen për vështirësitë që hasin për t’u qasur në rrugë pas daljes nga ai.

Të tri korsitë e rrugës “Eqrem Qabej” janë gati gjithnjë të ngarkuara dhe ata që duan të kthehen për në lagjet “Ulpiana”, “Bregu i Diellit” e të tjera, e kanë të vështirë ta bëjnë këtë.

“Unë për çdo ditë e përdori këtë parking për t’u kthyer për ‘Ulpianë’ nuk ke shanse, duhet shkuar deri poshtë të bëjmë një gjysmërreth në Dardani, që është super kolonë. Shumë vështirë të kyçem, po shihet kolona dhe një ditë e kam marrë një dënim për shkak të rreshtimit të gabuar por është e pamundur të kyçem në rrugë ndryshe”, ka thënë qytetari Shyqeri Gashi.

“Duhet t’i kapërcejmë tre korsi për të dalë për ‘Ulpianë’”, ka thënë një tjetër.

“Shumë është problem. Po ka pritje të vazhdueshme”, ka deklaruar një tjetër qytetar.

Parkingu ka dy hyrje-dalje, por ajo përmes rrugës “Xhorxh Bush” është mbyllur, pasi hapësira është kthyer në shesh me vendim të Komunës.

Nga Komuna e Prishtinës nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS nëse kanë ndonjë plan për ta rregulluar këtë tollovi.

Bekim Ahmeti, inxhinier i komunikacionit, ka thënë se trafiku në këtë zonë konsiderohet i ngufatur.

“Ka ndryshuar parking garazhi si plan edhe prej dy hyrje-daljeve, ka mbetur vetëm një. Prapa nesh. Kapaciteti i automjeteve me nivelin që e ka sidomos gjatë kësaj kohe të sezonit turistik atëherë është një ngufatje”, ka thënë Ahmeti.

Parkingu nëntokësor u hap në nëntorin e vitit të kaluar, por të dy hyrje-daljet ishin të qasshme për qytetarët për vetëm një muaj.