Arbëri

Ankesa për rritje të çmimeve nëpër barnatore, Autoriteti i Konkurrencës premton hetime

Kërkesat e mëdha të qytetarëve për të siguruar maska dhe mjete higjienike për t’u mbrojtur nga përhapja e koronavirusit ka bërë që shumë farmaci në kryeqytet të ngritin në mënyrë astronomike çmimet e këtyre produkteve.

E shitja e shpejtë e këtyre produkteve ka bërë që brenda pak orësh të zbrazen raftet e barnatoreve në kryeqytet, raporton KOHA.

Në mesin e 7 barnatoreve që ka vizituar KOHA, ekipi nuk ka arritur të gjejë maska për fytyrë e as dezinfektues për duar.

Farmacistët thonë se depot dhe furnizuesit përveçse i kanë ngritur çmimet e tyre tanimë më as nuk po arrijnë t’i furnizojnë.

E në rastet e rralla kur këto produkte gjenden nëpër barnatore, çmimet e tyre janë shumëfishuar.

Një gell antibakterial në barnatore mund ta blini 5,90 cent.

Derisa një kuti me maska, e cila kushtonte 3 euro, tani në barnatore këto maska mund të gjenden vetëm me copë, e cila kushton nga 50 cent deri në 1 euro.

E shqetësuar me ngritjen e çmimit të produkteve mjekësore ka qenë Ministria e Shëndetësisë, ajo e cila e ka njoftuar Autoritetin e Konkurrencës për këtë çështje, e rastet janë denoncuar edhe në hetuesi.

“MSH-ja ka njoftuar Autoritetin Kosovar të Konkurrencës për ngritjen e çmimeve që qarkulluesit farmaceutikë me shumicë dhe pakicë u kanë bërë produkteve mjekësore, në veçanti dezinfektuesve, dorëzave dhe maskave mbrojtëse pas përhapjes së koronavirusit, sidomos në vendet afër Kosovës. Janë njoftuar edhe institucionet e tjera, si ato të hetuesisë, tek të cilat është denoncuar kjo dukuri që godet si buxhetin e qytetarëve ashtu edhe atë të shtetit. Inspektorët farmaceutikë, gjithashtu, i kanë evidentuar këto ngritje të çmimeve, duke përfituar nga një situatë krize e shëndetit publik”, ka thënë Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndërsa kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka bërë të ditur se ky institucion do të hetojë edhe furnizuesit dhe prodhuesit për ngritje të çmimeve të produkteve, kryesisht të maskave dhe produkteve higjienike.

Hetimet, sipas Prestreshit, do të duhej të nisnin edhe nga Prokuroria.

Me përhapjen e Covid-19 janë rritur edhe kërkesat nga qytetarët për t’u pajisur me masa mbrojtëse, që ka çuar në ngritjen e çmimeve në farmacitë në vend.