Arbëri

QUINT-i, qortues e mbështetës

Prej pasluftës, vendet e QUINT-it kanë mbështetur Kosovën, si në rindërtim, ashtu edhe në forcimin e shtetësisë. Por, vazhdimisht kanë qortuar politikanët, si për mosrespektim vendimesh të rëndësishme gjyqësore, për ngërçet politike, apo edhe për mospërmbushje standardesh të demokracisë. Si rrallëherë, për vendime që potencialisht mund t’i shtojnë tensionet, Qeveria ka marrë mbështetjen e QUINT-it për reciprocitetin në targa me Serbinë

Vënia e reciprocitetit në targa nga Qeveria e Kosovës u shoqërua me reagime të forta të serbëve të veriut e edhe të Beogradit zyrtar, e që u pasuan me bllokim rrugësh në drejtim të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Por, në heshtje, vendimi mori mbështetje ndërkombëtare.

Situata në veri, e prodhuar në shenjë pakënaqësie për vendimin, bëri që në zyrën e kryeministrit Albin Kurti të shkonin ambasadorët e shteteve të QUINT-it, të cilin e përbëjnë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia. Komunikata e Qeverisë mbi takimi, tregoi për qasje mbështetëse.

“Ambasadorët dhe kryeministri Kurti u pajtuan që duhet ruajtur paqen dhe qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, dhe se dialogu duhet të vazhdojë e situata duhet të de-eskalojë”, thuhej në komunikatë.

Pushteti në Kosovë thuajse vazhdimisht është qortuar nga QUINT-i për çfarëdo vendimi që potencialisht tensionon situatën.

Një reagim është bërë edhe të premten, shkaku që autoritetet nuk e kanë zbatuar prej kohësh një verdikt të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

“Ne inkurajojmë fuqimisht Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë pa vonesë në zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në komunikatën e QUINT-it.

Vazhdimisht, politikanëve u është tërhequr veshi për mosrespektim vendimesh të rëndësishme gjyqësore, për ngërçet politike, apo për mospërmbushje standardesh të demokracisë.

Gazetari Augustin Palokaj tregon se QUINT-i mori rol të rëndësishëm, pasi ndryshuan raportet e Perëndimit me Rusinë.

“Pra, QUINT-i ka mbetur Ish-Kontakt Grupi, minus Rusia. Për momentin, pos se e ka njohur Kosovën, ka qëndrime të ndryshme për shumë gjëra. Për shembull, disa nga shtetet e QUINT-it nuk ishin kundër shkëmbimit të territoreve”, rikujton Palokaj. “Me largimin e UK nga BE-ja, ky ka mbetur forumi i vetëm ku Londra ka ndonjë rol në Kosovë. Vendet e BE-së nga QUINT-i janë shumë pasive (Gjermania, Franca dhe Italia). Në Francë dhe Gjermani ka zgjedhje, ndërsa Italia nuk ka qenë asnjëherë në ballë të frontit”.

Megjithëkëtë, ambasadorët në Kosovë nuk kanë qëndruar duarkryq në raport me zhvillimet.

Në marsin e 2018-s, ambasadorët e shteteve të QUINT-it shprehën shqetësimin për arrestimin dhe dorëzimin tek autoritetet turke të 6 shtetasve turq, të cilët Ankaraja i konsideronte si gylenistë.

Në dhjetor të 2017-s, ata bënë thirrje për luftë kundër korrupsionit dhe kërkuan të mos ketë imunitet për vjedhje.

Vazhdimisht i kanë dhënë shtytje dialogut, e edhe marrëveshjeve për të cilat kishte rezistencë nga një pjesë e spektrit politik, siç është marrëveshja e 2013-s me Serbinë, e po ashtu edhe ajo për demarkacionin me Malin e Zi.

QUINT-i ka pasur rol mbështetës në proceset që i paraprinë shpalljes së pavarësisë.

Në korrik të 2003-s përkrahën “standardet para statusit”; në prag të shkurtit të 2008-s ndihmuan në shpalljen e pavarësisë dhe në menaxhimin me situatën; dhe menjëherë më pas, u angazhuan për zbatimin e një plani gjashtëpikësh të OKB-së.

Vendet e QUINT-it kanë ndihmuar me njohjen e Kosovës e edhe në anëtarësimet e deritashme në organizata ndërkombëtare.

Augustin Palokaj thotë të ketë ndryshuar entuziazmi për njohjet.

“Parimet në qëndrimet e QUINT-it nuk kanë ndryshuar. Ka ndryshuar entuziazmi për të siguruar njohje të reja të Kosovës dhe integrim të Kosovës në organizata ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Një vit më parë, Kosova dhe Serbia nënshkruan disa zotime në Shtëpinë e Bardhë. Mes tjerash, Kosova u zotua se për një vit nuk do të kërkojë njohje dhe as anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia që ta pezullojë për këtë periudhë fushatën për çnjohje ndërkombëtare të Kosovës.