Analisti politik, Vigan Qorrolli ka thënë për Koha.net se me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, është krijuar një situatë e re politike, në të cilën duhet të hyhet me një skenar të ri.
Ai thotë se mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës mund të ketë marrëveshje për pozicione të caktuara, qoftë me atë të presidentit ose me marrjen e ministrive të caktuara.
Qorrolli thotë se me Kushtetutë pozita e kryeparlamentarit i ka takuar VV-së, por se sot kjo ndodhi pa marrëveshje paraprake mes partive.
“Mustafa po jep skenar që mund ta votojë Kurtin si qeveri të pakicës, ky mund të jetë skenar ogurzi i partive të vjetra që mund të i japin potencialisht Kurtit qeverisjen e pastaj mund me mocion të mosbesimit të provokojnë zgjedhje të jashtëzakonshme. Këto janë skenare politikisht të mundshme. Mbetet për t’u parë se si do të negociohet me postin e kryeministrit, mbeten në lojë edhe postet tjera të kabinetit qeveritar”, ka thënë ai.
Ai këtë situatë e ka quajtur të pazakontë.
“Jemi në një situatë goxha të pazakontë politike. Pa marrëveshje paraprake, për herë të parë në historinë tonë politike zgjidhet konceptualisht një kryetar i Kuvendit dhe tashmë kemi edhe një zotim të LDK-së që do ta votojë edhe Kurtin për kryeministër por pa marrëveshje për ndarje të pushtetit”, thotë ai.
Sipas Qorrollit, me zgjedhjen e Konjufcës si kryetarë dhe nënkryetarëve, Kuvendi quhet i konstituuar dhe prej ditës së sotme do të fillojë të rrjedh një afat kushtetues, derisa shton se i njëjti është në dorën e presidentit që të thërras fituesin e zgjedhjeve dhe ta nominojë Kurtin për kryeministër.
“Të presim dhe të shohim skenarin se si e kanë menduar LDK e VV. Presim të shohim a do të kalojmë në një plan B, ku mund të ketë marrëveshje të re, apo është një skenar që siç ka thënë Mustafa mund ta votojë një qeveri të pakicës së Vetëvendosjes, dhe nga 12 ministri Vetëvendosje t’i udhëheqë të gjitha vetë”, ka shtuar ai.
Kujtojmë se sot është mbajtur seanca konstituive e Kuvendit. Në këtë seancë janë betuar 111 deputetë, derisa është zgjedhur edhe kryetari i Kuvendit gjithashtu edhe pesë nënkryetarët.