Arbëri

QKUK-ja nuk e siguroi një bar vital, pacientja u përkeqësua e Fondi pagoi 60 mijë euro

Keqpërdorimet me fondin për trajtim jashtë vendi

Zvarritjet në blerjen e barnave për spitalet publike ndonjëherë kanë pasoja të mëdha. Kësisoj, nga hulumtimi KOHA ka parë raste kur për shkak të mungesës së gjatë të një bari, pacientit i është keqësuar gjendja, e është dashur të kryejë transplant. Një paketim i atij bari kushton 30 euro, transplanti pas keqësimit të gjendjes ka kushtuar 60 mijë euro.

Shpesh në QKUK mungojnë barnat për trajtimin e sëmundjeve të caktuara.

Mungesa e tyre bën që sëmundja të degradojë, e pacientit t’i rrezikohet jeta.

Me vite, SHSKUK-ja e kishte zvarritur blerjen e një bari të quajtur Imantinib Mesylat.

Mungesa 2-vjeçare e këtij bari në QKUK, një pacienteje ia kishte komplikuar diagnozën. Gjë që kishte bërë që pasi nuk e kishte marrë terapinë, pacientja me vonë të detyrohet të bëjë transplantin e palcës kockore.

Kjo dëshmohet në fletëreferimin që e posedon KOHA.

“Pacientja është diagnostikuar si CML në shtator të 2016-s. Është trajtuar me tableta Imatinib Mesilate në dozë të 400 mg, që nga maji i 2017-s, SHSKUK-ja nuk ka pasur furnizim me këtë medikament”, thuhet në fletëreferim.

Më tej fletëreferimi flet për përkeqësimin e gjendjes së pacientes.

“Gjendja e së sëmurës ka ardhur duke u përkeqësuar. Familjarët e dërgojnë në Turqi dhe në bazë të propozimit të mjekëve, është rekomanduar: Transplantimi i Palcës Kockore -procedurë që te ne nuk realizohet. Rasti të trajtohet sa më shpejt - urgjent”, thuhet tutje në fletëreferim.

Më herët çmimi i barit Imatynib Mesylat ka qenë 96 euro. Nga viti 2019, ai kontraktohet edhe me 30 euro.

Por kostoja e shërimit përmes Fondit për këtë paciente është 60 mijë euro.

Një gjë e tillë dëshmohet në tabelat e pagesave të siguruara nga KOHA. Fondi ia ka transferuar një spitali turk brenda një viti dy pagesa nga 30 mijë euro në emër të kësaj pacienteje.

Plani i Qeverisë për investime në shëndetësinë publike nuk është në linjë me nevojat e spitaleve publike.

Kësisoj, sipas hulumtimit nga patologjitë që më së shumti dërgohen për trajtim jashtë vendit janë sëmundjet e zemrës te fëmijët.

“Arsyeja e referimit jashtë SHSKUK-së: Meqenëse intervenimi i tillë nuk mund të bëhet në Kosovë, fëmija udhëzohet jashtë Kosovës për këtë ndërhyrje kardiologjie”.

Ky fëmijë është trajtuar në një nga spitalet turke. Kostoja e trajtimit të tij ka qenë mbi 16 mijë euro.

Kosova nuk ka kardiokirurgji të fëmijëve. Nuk ka as specialist e as kuadro që është duke i shkolluar.

Teknikisht, ndërhyrjet në zemër mund të bëhen në Kosovë, për shkak që kohë pas kohe vijnë në Kosovë mjekë ndërkombëtarë dhe kryejnë operimet në sallat e QKUK-së.

Por Ministria e Shëndetësisë nuk e ka pasur si vizion që të dërgojë stafin për edukim e trajnime jashtë.

Drejtoresha e kësaj klinike, Violeta Grajçevci, ka deklaruar që një kërkesë të tillë e kanë bërë tashmë.

“Unë prejse e kam marrë detyrën, dy prioritete i kam pasur: problemet onkologjike dhe problemet me zemrën. Edhe pse janë shumë delikate, duhet shumë investim, duhet trajnim i stafit, duhet aparaturë e posaçme, mandej duhet edhe hapësirë. Edhe pse nuk mundemi 100 për qind këto referime me i ndalë, por një pjesë të madhe”, ka thënë Grajçevci.

Klinika e Pediatrisë është klinika me më së shumti referime për jashtë vendi. Ligjërisht, fëmijëve shteti është i obliguar t’ua mbulojë 100 për qind të shpenzimeve e përfituese nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor në masë 80 për qind janë spitalet turke.