Arbëri

QKUK-ja ka mungesë të furnizimit me oksigjen dhe të infektologëve për trajtimin e koronavirusit

Respiratorë, mjete higjienike dhe zona të veçanta të izolimit brenda Klinikës Infektive janë disa prej masave që i ka ndërmarrë SHSKUK-ja në rast të përhapjes së koronavirusit në vend.

Gjatë një vizite që i ka bërë Komisioni Parlamentar për Shëndetësi QKUK-së, ata kanë kërkuar sqarime për masat që ky institucion shëndetësor ka ndërmarrë, raporton KOHA.

Në takim u ngrit shqetësimi lidhur me furnizimin me oksigjen.

Mungesa e infektologëve dhe numri i vogël i tyre nëpër qendrat e tjera spitalore kanë shtyrë SHSKUK-në që në rast të ndonjë epidemie të thërrasë ata infektologë që janë pensionuar.

Zyrtarë të Barnatores Qendrore në QKUK janë ankuar se ka mungesë të produkteve në treg.

Derisa Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi dërguar mediave ka kërkuar që qytetarët të rrisin vigjilencën ndaj këtij virusi vdekjeprurës.

“Ministria e Shëndetësisë, me qëllim të rritjes së vigjilencës ndaj koronavirusit, ju bën thirrje qytetarëve të vendit që t’i shtyjnë apo t’i evitojnë udhëtimet e planifikuara brenda dhe jashtë vendit, në veçanti në shtetet ku ka raste të konfirmuara të koronavirusit, duke përfshirë shtetet fqinje (Shqipëri, Maqedoni e Veriut; Mali i Zi dhe Serbi), të shmangin grumbullimin në hapësira të mbipopulluara dhe t’u kushtojnë rëndësi masave të përgjithshme të higjienës, si parakusht themelor për parandalimin e koronavirusit. Ministria do t’iu informojë në vazhdimësi për masat e ndërmarra kundër koronavirusit dhe ju bën thirrje mediave dhe qytetarëve, që informatat për situatën epidemiologjike rreth koronavirusit t’i marrin drejtpërdrejt nga institucionet dhe burimet zyrtare”, ka thënë ministria e Shëndetësisë.

MSH-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i shmangin udhëtimet në shtetet ku ka të prekur me koronavirus dhe grumbullimin në hapësira të mbipopulluara.