Bashkëpagesat e pacientëve për shërbimet shëndetësore që i marrin në QKUK vazhdojnë të bazohen në Udhëzimin Administrativ të 2007-s. Në QKUK bënë të ditur se realizohen deri në 1.800 kontrolle në ditë për rastet ambulantore, prej të cilave arrijnë të grumbullojnë deri në 4.500 euro në ditë. Por shumica e pagesave në këtë institucion nuk bëhen ende në sistemin elektronik
Brenda ditës në 37 klinikat e Qendrës Klinike Universitare (QKUK) pranohen deri në 1 mijë e 800 raste ambulantore e rreth 300 pacientë hospitalizohen.
E deri në 4 mijë e 500 euro grumbullon kjo qendër nga participimi i pacientëve në pagesa për shërbimet mjekësore që ata i marrin.
Shefi i Financave në QKUK, Sherif Bytyqi, thotë se mjetet që grumbullohen nga të hyrat vetjake derdhen në arkën e shtetit e që më pas kthehen përmes aprovimit të buxheti për vitin përkatës.
“Çdo ditë hyrjen e bëjmë të përbashkët, e marrim, e grumbullojmë dhe e dorëzojmë në buxhetin e konsoliduar të Kosovës, mirëpo një mesatare e të hyrave të grumbulluara këtu sillet prej 4 mijë deri në 4 mijë e 500 euro të hyra ditore që grumbullohen nga shërbime të cilat i ofrojmë”, ka thënë Bytyqi. “Dihet se shërbimet që ne i ofrojmë i kemi me çmime të bashkëpagesave, participime, por jo ato nuk janë çmime, gjegjësisht nuk tregojnë koston e një shërbimi të këtyre shërbimeve”
E këto pagesa vazhdojnë të realizohen duke u bazuar në udhëzimin administrativ gati dy dekada të vjetër.
Në këtë udhëzim administrativ që është aprovuar në vitin 2007 kur Kosova administrohej nga UNMIK-u, janë të caktuara edhe çmimet e bashkëpagesave të pacientëve për shërbimet shëndetësore.
Çmimorja varion varësisht prej llojit të shërbimit shëndetësor, nisur nga çmimi më i ulët prej 1 euro e deri në 350 euro tek disa nga shërbimet e kirurgjisë invazive siç janë kateterizimi i zemrës, koronarografia e intervenimet e tjera.
Pacientët dhe shoqëruesit e tyre paguajnë edhe për ditët e shtrimit në spital. Sipas udhëzimit administrativ, për çdo ditë qëndrimi në spital pacienti paguan katër euro vetëm në dhjetë ditët e para e pastaj qëndrimi bëhet pa pagesë.
Por prej kur ky udhëzim ndodhet në fuqi, QKUK-së i janë shtuar një sërë shërbimesh të cilat nuk janë të përfshira në këtë udhëzim administrativ.
Bytyqi thotë se brenda muajit pritet të finalizohet udhëzimi i ri administrativ i cili ka paraparë disa ndryshime.
“Risi kemi te korrigjimet e disa çmimeve, te korrigjimet e disa lehtësimeve që i kemi paraparë që duhet të bëhen, por edhe gjithashtu disa diagnoza që kemi menduar se nuk kanë qenë pjesë e atij udhëzimi të mëparshëm e që sipas nevojës është dashur të përfshihen dhe janë të përfshira në udhëzimin i cili tash në çdo moment pritet të marrë formën finale dhe të dalë për implementim”, ka thënë Bytyqi.
Disa pacientë treguan në kushte anonimiteti për participimin në pagesa për shërbimet që i kanë pranuar gjatë qëndrimit në QKUK. Ata thanë se pagesat nuk janë të larta.
Në QKUK thanë se regjistrimi i pagesave në ambulancat specialistike ka filluar të bëhet në mënyrë elektronike ndërkaq pjesa tjetër ende bëhet përmes bllokave.
Sipas Bytyqit gjatë regjistrimit në sistemin elektronik zyrtarët ende ballafaqohen me një sërë problemesh teknike, nga ndërprerja e energjisë, internetit e deri te defektet me printer.