Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) vlerëson se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) duhet të pajiset me helikopter për kërkim-shpëtim, ngase ka të aftësuar edhe pilotët të cilët mund të realizojnë operacione në këtë fushë.
QKSS vlerëson se pajisja e FSK-së me helikopter për kërkim-shpëtim nuk duhet të politizohet, meqë në rajonin e Ballkanit gjithnjë e më shumë po ndodhin tërmete, vërshime dhe fatkeqësi tjera.
FSK-ja ka të aftësuar tre pilotë, por nuk posedon helikopter dhe as këtë vit nuk është paraparë buxhet për një blerje të tillë.
FSK vlerëson se funksionalizimi i njësisë së helikopterëve është pjesë e një plani afatgjatë, raporton KOHA.
Mirëpo Shpat Balaj nga QKSS-ja vlerëson se FSK-ja nuk po pajiset me helikopter, sepse nga partnerët ndërkombëtarë vlerësohet si çështje e ndjeshme e sigurisë, duke pasur parasysh edhe kundërshtimet e shtetit të Serbisë në raport me ngritjen e kapaciteteve të FSK-së.
Ai thotë se pajisja e FSK-së me helikopter të kërkim shpëtimit nuk duhet të jetë pengesë për Serbinë.
“Pajisja e FSK-së me helikopter vazhdon të jetë çështje e ndjeshme, mirëpo përderisa nuk është një helikopter luftarak dhe nuk e përdor për mesazhe politike, atëherë nuk do të duhej të ishte problem. Viteve të fundit në rajon jemi duke u përballur me tërmete dhe fatkeqësi tjera dhe FSK-ja ka dëshmuar se është e aftë për misionet e kërkim të shpëtimit. FSK-ja mund të përdorë këtë helikopter për transport për njerëzit e sëmurë dhe të kryejë misione tjera në aspektin civil”, ka thënë ai.
Ai deklaron se Qeveria e Kosovës duhet të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë dhe të arrihet një pajtim ku i lejohet FSK-së të operojë në ajër dhe se këtë nuk mund të kundërshtojë as shteti i Serbisë.
“Niveli politik duhet të jetë i zëshëm dhe nuk duhet të lejojë që të ketë kushtëzime për FSK-në nga jashtë. Gjithçka duhet të jetë në koordinim me KFOR-in sa i përket operimit të FSK-së me helikopter. Dhe niveli politik duhet vazhdimisht të përcjellin mesazhin se FSK-ja është për të mirën e të gjitha komuniteteve të cilat jetojnë në Kosovë. Është diskutuar që edhe Policia e Kosovës të pajiset me helikopter mirëpo ky institucion përballet me problemet e tjera sepse ata kanë me vite që nuk kanë madje veturat të servisuara dhe probleme tjera të organizimit. Prandaj është e vështirë sepse nuk kanë kapacitete”, ka thënë ai.
KOHA ka parashtruar pyetje edhe në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes. Zëdhënësi i Ministrisë, Ibrahim Shala deklaron se funksionalizimi i njësisë së helikopterëve është pjesë e një plani afatgjatë.
“Aktualisht FSK-ja nuk posedon helikopter. FSK e ka në strukturë njësinë e helikopterëve. Ajo në planin e zhvillimit afatgjatë parasheh që të funksionalizojë njësinë e helikopterëve. Aktualisht, FSK ka 3 pilotë helikopteri”, ka thënë Shala.
Ndryshe në rast të zhdukjes së ndonjë personi në ndonjë zonë malore, ashtu siç ka ndodhur me rastin e zyrtarit të komunës së Preshevës, Besnik Osmani krejt çfarë është bërë në këtë rast është një operacion i kërkimit, i cili është zhvilluar nga pjesëtarët e policisë. Osmani ishte gjetur i vdekur në një pyll në afërsi të kufirit me Serbinë. Në tërheqjen e trupit kanë asistuar edhe pjesëtarët e FSK-së. Prokuroria ende nuk ka pranuar raportin e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ku sqarohen rrethanat e vdekjes.